12 qershori dita e çlirimit të Kosovës nga ndërhyrja e NATO-s / Dita e lirisë, ngjarja që rreshtohet krah botës demokratike

Na mbetet përherë në kujtesë 12 Qershori i vitit 1999. Kjo datë bëri kthesën historike për të vazhduar tutje. 12 Qershori është Dita e Çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb. Ka aq shumë data si nisja e bombardimeve, pavarësia etj, por në historinë tonë hyrja e trupave të Aleancës së Atlantikut Verior apo ushtrive të Fuqive të Mëdha do të mbetet kruciale dhe e pazëvendësueshme.

Bota vazhdon të ketë në mendje imazhet e shumë qytetarëve kosovarë që u uronin mirëseardhje ushtarëve të KFOR-it. Me lot gëzimi në sy, me brohoritma “NATO, NATO”… I konsideronin shpëtimtarë të tyre.

Që atëherë, kjo datë kujtohet si “Dita e Lirisë” së Kosovës nga agresioni serb. Fillimisht numëronin 50,000 ushtarë dhe vinin nga dhjetëra shtete anëtare të NATO-s dhe vendeve aleate. Të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Hyrjes së tij i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Kjo ditë e veçantë e historisë së Kosovës e krijuar me sakrificën sublime të popullit dhe me shpirtin e madh e human të botës së përparuar, që parandaloi një epokë të rëndë të gjenocidit e të përhumbjes dhe që riktheu forcën e shpresës.

Kujtojmë se, në atë kohë, Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Havier Solana, më 10 qershor 1999 urdhëroi ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 12 44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Pas kësaj rreth 800 mijë refugjatë të dëbuar nga forcat serbe u rikthyen në Kosovë.

Sot, 22 vjet pas zbarkimit historik të NATO-s, rreth 5.000 trupa të tyre vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë.

Përvjetori i Ditës së Çlirimit në Kosovë kujton tek qytetarët triumfin ndaj agresorit, por edhe rikthimin e mijërave kosovarëve në shtëpi të cilët para 22 vitesh braktisën vendin duke jetuar si refugjatë jashtë Kosovës.

Kosova në luftën që Republika Federale e Jugosllavisë veçse e kishte nisur në vitin 1998, po bënte rezistencë nëpërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nga masakrat, djegiet e shtëpive dhe maltretimet që emetuan mediat vendore e të huaja, bota arriti të njoh qartë fytyrën e kësaj lufte që po zhvillohej në Ballkan. Nga marsi i vitit 1999 deri në qershor të të njëjtit vit NATO-ja me sulme ajrore kishte ndërhyrë në Kosovë, duke pasur cak disa zona dhe baza të ushtrisë së ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, për ta ndaluar dhunën ndaj popullatës civile kosovare dhe spastrimin etnik të tyre.

Më 12 qershor, sulmet ajrore të NATO-s pushuan, për t’u futur këmbësoria e NATO-s në territorin e Kosovës dhe për t’i larguar forcat jugosllave-serbe nga aty. E gjithë kjo nën urdhrin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në atë kohë, Javier Solana, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

 “Serbia luftën e bënte kryesisht kundër civilëve”

Dalja publike e UÇK-së më 28 nëntor të vitit 1997 në varrimin e mësuesit Halil Geci, të vrarë nga forcat jugosllave, filloi t’i heqë dilemat edhe te qytetarët e Kosovës se nuk arrihet çlirimi pa luftë, ndërsa sulmi i familjes Jashari në vitin 1998, i dha impuls masivizimit të UÇK-së.

Serbia nuk e llogariti një faktor, e ky ishte se ajo nuk bënte luftë vetëm kundër ushtarëve të UÇK-së, se mbase do të kishte edhe njëfarë leje për ta bërë atë luftë, por ajo luftën e bënte kryesisht kundër civilëve dhe kjo çoi në një ndryshim të qëndrimit të faktorit ndërkombëtar përballë luftës së UÇK-së dhe përballë luftës që po bënte Serbia kundër Kosovës.

Për njerëzit dhe faktorët që çuan deri te ndërhyrja e NATO-s në Kosovë egzistojnë shumë aktorë vendorë dhe ndërkombëtarë. POR që falënderimi për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s duhet të shkojë drejtpërdrejt te presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton dhe kryeministri i atëhershëm britanik, Tony Blair.

Dihet po ashtu se në këtë ndërhyrje edhe Turqia ishte një aleat aktiv në luftën e Kosovës në fazën e para-bombardimeve me ndihmat në Kosovë dhe në fazën e bombardimeve me angazhim konkret ushtarak, por edhe pas fazës së bombardimeve me ndihma për refugjatët dhe periudhën rindërtuese të Kosovës.

Kosova pas çlirimit

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), i cili do të administronte vendin deri në 17 shkurt të vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Protagonistët shqiptarë të Konferencës së Rambujesë, mendojnë se edhe nëse Serbia do të vendoste nënshkrimin e saj në konferencë, prapë ndërhyrja e NATO-s do të ishte e nevojshme. Kjo sepse, sipas tyre, veprimet e Serbisë kundër popullatës civile në Kosovë disa ditës vetëm sa shtoheshin.

Ndërkaq lidhur me këtë ditë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Poklekun e Komunës së Drenasit ku nga atje ka theksuar edhe një herë se Kosova duhet ta padisë Serbinë për gjenocidin e kryer para 22 vjetësh.

“Serbia ende qeveriset nga persona që kanë qenë ministra e zyrtarë të lartë në kohën kur këto masakra janë urdhëruar e zbatuar. Sigurisht, ata sot nuk mund të vijnë më të na pushtojnë e të na vrasin, por ëndrrat e tyre jo vetëm nuk i mohojnë por i proklamojnë vazhdimisht, me investimet e shfrenuara për armatim modern duke blerë armë prej Rusisë, Bjellorusisë e të tjera. Pse armatoset Serbia, ky vend që ende nuk ka kërkuar falje për krimet masive që ka bërë 22 vite më parë. Duhet ta padisim Serbinë për gjenocid. Vrasjet e civilëve, grave shtatzëna, të miturve, foshnjave, pleqve, përdhunimi i përdorur si armë në luftë janë dokumentuar e po dokumentohen”, ka thënë Kurti.

Çka do të thot se: Me 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Related posts