Praktikë e keqe kjo, e dëmshme dhe njëkohësisht e pandershme, e praktikuar pothujse nga e gjithë kasta politike, tash e 20 vite.
Projektet e mëdha po lihen në kohë fushate, dhe kështu po ndodh edhe me Komunën e Podujevës tani. Por, pse po ndodh mashtrimi i madh? Qytetarët si duket e kanë kuptuar se projektet e një komune gjithmonë po kalkulohen me votë dhe asnjëherë me interesin e përgjithshëm të qytetarëve.
Kështu ka vepruar sot, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ku në praninë e kandidatit të LDK-së për zgjedhjet në Podujevë, Nexhmi Rudarit ka shpalosur planin e ndërtimit të Spitalit të Përgjithshëm në këtë komunë.
Zemaj bashkë me Rudarin dhe Veliun dhanë pamjen më të shëmtuar gjatë këtyre ditëve të fushatës. Me fotografinë e bërë bashk, ata ngjallin frikë tek qytetarët dhe lënë të kuptohet se gjithqka është politike.
Kundrejt kësaj, deklarativisht, Zemaj tha se ndërtimi i këtij spitali lehtëson punën edhe për spitalet e Prishtinës, pasi qytetarët e Podujevës do të kontrollohen në spitalin e tyre.
Kujtojmë se lidhur me Spitalin e Podujevës është finalizuar vetëm projekti në letër deri më tani, ndërsa ndërtimi parashihet të përfundoj pas 3 vitesh dhe kap koston e mbi 9 milionë eurove.