Ministri aktual, i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu ka raportuar sot para Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, ku ka folur edhe për bashkimin e Ministrisë së Administratës Publike në MPB.
U bë një kohë e gjatë që kur këto dy ministri u bashkuan dhe sot ministri Veliu e vërtetoi zhagitjen e fuzionimit të këtyre dy ministrive duke e paraqitur si problem ekzistimin e kategorive të njëjta në dy ministri njëkohësishtë.
Veliu i paralajmëroj drejtorët e këtyre ministrive se disa nga ta do mbesin pa këtë pozitë.
“Jemi marrë vesh që departamentet siç u theksuan, ta zëmë Departamenti ligjor është edhe këtu edhe atje. Duhet t’i bashkojmë. Departamenti i financave është edhe këtu edhe atje; duhet t’i bëjmë një departament dhe sigurisht si pasojë e kësaj njëri prej drejtorëve do të mbetet pa atë pozicion që e ka”, tha Veliu.
Por, ministri shtoi se drejtorët që do ta humbin pozitën e tyre, nuk do të mbeten pa punë. Siç tha ai, ata do të sistemohen në një pozicion tjetër.
“Ne do të kujdesemi që atë që mbetet pa pozicionin që e ka si drejtor i departamentit ta zëmë, t’ia gjejmë një pozicion ekuivalent në bazë të kërkesës ligjore”, tha Veliu.