Qeveria nuk i paguan pagat shtesë të punëtorëve teknik të spitaleve. Ata nesër futen në grevë

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi në një konferencë të mbajtur sot ka thënë se nesër me fillim nga ora 07:00 e mëngjesit, punëtorët teknik të spitaleve rajonale të Kosovës do të futen në grevë, pas protestave që kishin mbajtur javën e kaluar.

“Nesër nga ora 07:00 e mëngjesit do të fillojmë grevën, në të gjitha institucionet publike spitalore, ku kryhen shërbime nga stafi privat”, ka thënë Azemi gjatë konferencës.

Kryesindikalisti i Sektorit Privat, Azemi thotë se arsyeja e kësaj greve është për shkak se punëtorët teknik nuk kanë marrë pagat shtesë nga qeveria si punëtorët tjerë shëndetësor sa i përket punës së tyre gjatë pandemisë Covid-19.

“Ne kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë me të gjithë akterët që kanë të bëjnë me çështjen e pagesës dhe deri më tani nuk kemi asnjë lëvizje pozitive”, ka thënë Azemi.

Sipas Azemit në grevë nuk do të marrin pjesë punëtorët që punojnë në QKUK, pasi ata kanë shkelur protestën e kaluara dhe si të tillë, Azemi thotë se nuk e konsiderojnë të arsyeshme t’i bashkohen pasi nuk përmbajnë rregullat.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: