Drejtoresha e FIQ thot se nuk ulet në të njejtën tavolinë me Driton Selmanajn, e quan arrogant politik

Drejtoresha e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), Dajana Berisha, përmes një komunikate për media drejtuar organizatorëve ka bërë të ditur se nuk do ta udhëheqë panelin e dytë të takimit të Këshillit për bashkëpunim të Qeverisë me Shoqërinë Civile dhe për këtë ka dhënë një arsyetim.

Ajo ka refuzuar pjesëmarrjen e saj në këtë tryezë pasi aty do të jetë i pranishëm zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, i cili më parë kishte bërë deklarata në lidhje me personat e zhdukur, duke thënë se kjo temë tashmë është ezauruar.

“Kurrsesi nuk mund të ulem në të njëjtën tryezë me të ashtuquajturin zv.kryeministër të Republikës së Kosovës, i cili, me arrogancë politike, dhe mungesa të theksuar harmonie kognitive, mungesë të vetëdijes kombëtare e qytetare, i cili, për shkak të paaftësisë për të konkurruar me vision, ide zhvillimore e mbrojtje të të drejtave të viktimave dhe të humburve gjatë luftës së fundit në Kosovë pretendon popullaritet mbi bazën e deklaratave të papërgjegjshme ndaj kategorisë më ndjeshme të shoqërisë sonë”, ka shkruar Berisha në komunikatën e lëshuar për medie.

Komunikata e plotë:

Të nderuar pjesëmarrës, kolegë,                                                

22 dhjetor 2020

Duke falënderuar organizatorët për ftesën për të drejtuar panelin e dytë të takimit të Këshillit për bashkëpunim të Qeverisë me shoqërinë civile ju njoftoj, se pas një analize të kujdesshme, me plot përgjegjësi njerëzore, civile, profesioniste deklaroj, se kam zgjedhur të mos marrë pjesë në takimin e sotëm të Këshillit për bashkëpunim të Qeverisë me shoqërinë civile për arsyet e meposhtme:

1.     Kurrsesi nuk mund të ulem në të njëjtën tryezë me të ashtuquajturin zv.Kryeministër të Republikës së Kosovës, i cili, me arrogancë politike, dhe mungesa të theksuar harmonie kognitive, mungesë të vetëdijes kombëtare e qytetare, i cili, për shkak të paaftësisë për te konkuruar me vision, ide zhvillimore e mbrojtje të të drejtave të viktimave dhe të humburve gjate luftës së fundit në Kosovë pretendon popullaritet mbi bazën e deklarateve të papërgjegjshme ndaj kategorise më ndjeshme të shoqërisë sonë.

2.     Refuzoj të diskutoj përfshirjen e shoqërisë civile në politik-bërje zhvillimore me një individ, si Z. Selmanaj, që pretendon se qëndron mbi çdo viktimë dhe të humbur, fëmijë apo shqiptar i rritur, për shkak të inteligjencës së tij të dëmtuar prej vetë-kënaqësisë.

3.     Ashtu sikurse dhe në të kaluarën FIQ mbetet i përcaktuar, që niveli dhe natyra e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile të jenë parimore dhe të udhëhequr nga nevojat, prioritetet dhe respektimi i kërkesave të qytetarëve mirëpo për fat të keq Z. Selmanaj jo vetëm që nuk i përfaqëson këto vlera, por përkundrazi i ka nëpërkëmbur dhe injoruar ato.

Dajana BERISHA

Drejtore ekzekutive

Forumi për Iniciativë Qytetare – FIQ

Këtë e pëlqejnë %d blogues: