Renditja europiane për klube, Real Madrid në fron, Tirana e para nga shqiptarët

Me mbylljen e vitit, UEFA publikoi klasifikimin e skuadrave më të mira në historinë e Champions League. Në aktivitetin më të rëndësishëm për klube, me renditjen speciale që përfshin periudhën nga vitit 1955 deri më 2020-n, Reali i Madridit kryeson.

Rezultat që nuk mund të cilësohet surprizë, pasi “Los Blancos” janë ekipi që kanë fituar më tepër trofe, kanë luajtur më shumë se të tjerët, por edhe kanë fituar, barazuar dhe humbur më tepër ndeshje se çdo ekip tjetër, ashtu sikurse kanë shënuar dhe kanë pësuar më tepër gola.

Reali është pjesëmarrës në 51 edicione të Kupës së Europës dhe Champions League së bashku, 11 më tepër se Benfica që është rivali më i afërt.

Madrilenët kanë luajtur 445 ndeshje në total në elitën e futbollit europian, 87 më tepër se Bayern Munchen i vendit të dytë. Bavarezët janë ndjekësit më të afërt në klasifikimin special, me Barcelonën që plotëson podiumin, ndërsa më pas vijnë Manchester United, Juventus dhe Milan.

Liverpool është në vendin e shtatë, me Benfica, Porto e Ajax që plotësojnë “Top 10”.

Për sa i takon skuadrave shqiptare, Tirana pozicionohet më lart se të tjerat. Bardheblutë janë në vendin e 140-të, të ndjekur nga Skënderbeu, në vendin e 168-të. Korçarët janë ekipi i dytë më i mirë shqiptar, pavarësisht mungesës së viteve të fundit në arenën ndërkombëtare, prej dënimit të UEFA-s.

Podiumi për skuadrat e Kategorisë Superiore plotësohet nga Partizani, në vendin e 194-t, ndërsa më pas vijnë Vllaznia (vendi 276), Dinamo(280), Kukësi në vendin e 298-të, por edhe Flamurtari dhe Elbasani, që e shohin veten mes 500 skuadrave me ecurinë më të mirë europiane./A2

Këtë e pëlqejnë %d blogues: