Hoti lën anash pak fushatën, viziton Qendrën e Situatave, aty njoftohet për gjendjen nëpër komuna

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti sot ka vizituar Qendrën e Situatave ku është njoftuar për së afërmi me gjendjen nëpër komuna, pas vërshimeve në shumë rajone të vendit, që u shkaktuan pas reshjeve të shiut e borës.

Në takim me drejtorin e kësaj qendre, Shaqir Shaqiri, dhe sekretarin e Sekretariatit për Siguri, Shpend Tërdevaj, Hoti ka diskutuar për masat që duhet të ndërmerren me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të situatës së krijuar.

“Institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka shkruara Hoti në një postim në facebook.

Po ashtu, Kryeministri Hoti është në komunikim edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneral-Majorin, Franco Federici, i cili ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e forcës paqeruajtëse  nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme.

Për të parë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e fundit të cilat kanë shkaktuar vërshime në rajone të ndryshme të vendit, Hoti sot në orën 12:30 do të vizitojë fshatin Dobroshec të Komunës së Drenasit.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: