50 gazetarë u vranë gjatë vitit 2020, në të gjithë botën

Shumë gazetarë anëkend botës informojnë dhe investigojnë publikun për të mirën apo të keqën e përgjithshme dhe kjo në vetvehte mund të paraqet edhe ndonjë situatë të rrezikshme. Duhet të të shoqëroj në çdo hap etika gazetareske për t’u bërë ballë veprimeve të ndryshme që mund të ndodhin gjatë ushtrimit të punës profesionale gazetareske.

Sot jemi dëshmitarë edhe të një “gazetarie” , të thirrur si “profesionale” por në realitet ajo e ka humbur shkëlqimin e të duhurës për informimin e drejtë dhe të saktë për publikun. Ndoshta asnjëherë në historikun e saj, bërja gazetari nuk ka qenë më e sfiduar se tani pothuajse në mbarë botën duke e humbur çdo ditë e më tepër trajektorën e informimit dhe duke rrëshqitur kështu në një komercializëm ku çdokush dhe gjithqka mund të blehet dhe shitet.

Organizata “Reporterët pa Kufij”, ka njoftuar se 50 gazetarë humbën jetën në vitin 2020, 84 për qind e tyre të vrarë për shkak të detyrës, duke përfunduar të ekzekutuar në Amerikën Latine, të torturuar e të dënuar me vdekje në Pakistan e Iran, dhe të dhunuar barbarisht në Indi.

Nga personat e vrarë, 48 ishin burra, 2 gazetare gra, ndërsa në 10 vite, numri i reporterëve të vrarë shkon në 937.

“Gjatë pandemisë gazetarët kanë qenë më pak aktivë në terren, por tendenca e vjetër e viteve të kaluara u bë më e qartë: 68 për qind e gazetarëve po vriten në vende ku nuk ka luftë, praktikisht dy në tre raste, dhe po vriten qëllimisht. Kryesisht ata publikojnë raporte, hetojnë çështje dhe shpërndajnë lajme që shqetësojnë e vënë në siklet qeveri të caktuara, dhe për këtë vihen në shënjestër dhe eliminohen,” thotë zëdhënësja e organizatës, Polin Ades-Mëvel.

Sipas raportit të “Reporterëve pa Kufij”, mbi 380 reporterë rezultojnë tani të arrestuar pse kanë kryer punën edhe në protesta, apo i janë nënshtruar kanosjes e dhunës si në rastin e Amerikës këtë vit gjatë manifestimeve kundër racizmit apo gjatë tubimeve të jelekverdhëve në Francë.

Organizata për mbrojtjen e gazetarëve apelon për më shumë përkrahje nga qeveritë nëpër botë.

Related posts