Abdixhiku: Qeveria nuk ka pozicion për dialogun, LDK nuk merr pjesë në këtë proces

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku kërkoi nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti që të ketë pozicion të qartë rreth dialogut me Serbinë.

“Ne e kemi një qeveri që nuk ka pozicion të qartë rreth dialogut, unë kam pasur një takim me z. Kurti dhe kam kërkuar që të ketë pozicion të qartë jo për ta prezantuar tek unë, por tek qytetarëve, shoqërisë civile dhe ekspertëve”, tha Abdixhiku.

Në diskutimin e organizuar nga lëvizja ‘Fol’, Abdixhiku tha që partia e tij nuk do të marrë pjesë në dialog.

“LDK-ja nuk merr pjesë në dialog, LDK-ja jua ka dorëzuar një dokument sesi duhet të veproni sepse nuk po dini, merreni këtë dokument këtë bazë dhe ndërtoni pozicionin e juaj, ajo çfarë kam parë është më tepër akuzimi i klasës paraardhëse, por ajo nuk është temë në Bruksel”, theksoi ai.

I pari i LDK-së ironizoi me deklaratat e zyrtarëve qeveritar të cilët patën thënë që nuk kanë mundur të gjejnë dokumentacionin për dialogun në Bruksel.

“Me Vuqiçin dhe me ndërkombëtaret nuk ke me u marrë me atë se a janë dokumentet ndër tepih, mbi raft apo në cilin kat janë, duhen negociata të thella dhe të vështira. Si LDK do ta vëmë kontrollin në parlament pa asnjë kompromis, para shkuarjes dhe pas ardhjes do të raportojnë në parlament”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së tregoi se çfarë kërkesa ka pasur ndaj  Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer në takimin që e kanë pasur me të.

“I kërkuam që të na ndihmoj mbi çështjen e presionit për liberalizimin e vizave sepse i kërkuam që SHBA-ja të jetë më aktive në ndarjen e dialogut nga procesi i liberalizmit të vizave siç po pretendohet nga disa fuqi evropiane tani. Dhe si kërkesë të veçantë e bëmë që Kosova të shtyhet përpara nga SHBA-të për anëtarësim në NATO”, tha ai.

Dje Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Miroslav Lajçak kanë konfirmuar se takimi i radhës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuqiç do të mbahet brenda pak ditësh.

Palmer tha që SHBA-të mbështesin fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi duke theksuar se do të përfundoj me njohje reciproke mes dy vendeve.

“Ne vazhdojmë të besojmë se është njohja reciproke çështja që do të hapë rrugën përpara”, tha ai./kallxo.com

Related posts