Apeli ua vërteton pafajësinë vëllezërve Maloku, të akuzuar për vrasjen e kushërinjëve të tyre. Prokuroria nuk arrin të zbulojë dorasit e krimit

Vëllezërit Besim dhe Blerim Maloku, të akuzuar nga prokuroria në rastin e vrasjes së dy kushërinjve Bahri dhe Shani Maloku, në nëntor të vitit të kaluar ishin liruar nga akuzat për vrasje nga Gjykata e Gjakovës.

Ndërsa përmes një komunikate për media, Gjykata e Apelit ka njoftuar se e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë lidhur me lirimin e dy vëllezërve, të cilëve me vendim ua ka vërtetuar pafajësinë.

“Gjykata e Apelit ka gjetur se aktgjykimi i atakuar më ankesë, nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë dhe se drejtë po ashtu janë aplikuar dispozitat e të drejtës materiale”, thuhet në njoftimin për media të kësaj Gjykate.

Besim Maloku ishte liruar nga akuza për vrasje, ndërsa ishte dënuar me 20 muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Kurse i vëllai Blerim Maloku për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 9 muaj burg.

Shpallja e aktgjykimit ishte bërë nën masa të rrepta të sigurisë për shkak të tensioneve në mes dy familjeve, tensione këto që ishin vërejtur edhe gjatë gjithë procesit gjyqësor.

Mesnatën e 9 marsit 2018 në rrethana deri më tani të paqarta, dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku u vranë në oborrin e tyre.

Për vrasjen e dy vëllezërve Maloku, Policia arrestoi dy kushërinjtë e tyre, ndërsa pak muaj më vonë njëri nga ta u akuzua për vrasje, ndërsa tjetri për armëmbajtje pa leje.

Pretendimet e Prokurorisë ishin se dorasit u futën për të vjedhur në shtëpinë e Malokëve, ndërsa pasi u vërejtën, ata qëlluan pronarët e shtëpisë gjatë arratisjes.

Tragjedia në familjen Maloku ishte shoqëruar me mjaftë reagime publike pasi njëri nga vëllezërit ishte pjesëtarë i FSK-së, ndërsa në varrim morën pjesë  edhe krerët e shtetit.

Pas hetimeve për vrasjen, Prokuroria ngriti aktakuzë me pretendimet se motivi i vrasjes ishte tentativa për të vjedhur.

Viktimat Bahri dhe Shani Maloku, sipas Prokurorisë në natën kritike po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi. Dy vëllezërit e akuzuar asnjë herë nuk e pranuan fajësinë për vrasjen, ndërsa pranuan se kishin armë pa leje.

Aktakuza shpjegonte se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku, pasi që plumbat kishin qëlluar në cak, dy vëllezërit kishin mbetur të vdekur.

Vrasja e vëllezërve Maloku hynë në mesin e dosjeve ku Prokuroria e Shtetit nuk arriti të zbuloj dorasin e krimit ndërsa personat e arrestuar u liruan.

Related posts

Leave a Comment

I accept that my given data and my IP address is sent to a server in the USA only for the purpose of spam prevention through the Akismet program.More information on Akismet and GDPR.