Arrihet marrëveshja e Gjelbër. BE: Reduktohen 55% të emetimit të gazrave brenda 2030

BE i dha jetë planit më të madh për mjedisin në historinë e tij. 27 vendet ranë dakord në Bruksel për një reduktim madhor të emetimeve të gazit CO2 në 10 vjet, bazuar në planin për rimëkëmbjen ekonomike të shteteve anëtare pas krizës së COVID.

Sipas planeve për të cilat u ra dakord pas një negocimi maratonë të ndërmjetësuar nga presidenca gjermane, blloku angazhohet të shkurtojë me 55% emetimet e CO2-shit brenda vitit 2030.

“Marrëveshja e sotme na vendos në shtegun e duhur drejt neutralitetit klimaterik në vitin 2050. Kjo u jep siguri investitorëve, autoriteteve dhe qytetarëve. Ajo provon vazhdimin e Unionit tonë. Të gjitha vendet duhet të përfitojnë nga tranzicioni.

Me një rritje ekonomike të pastër, një ambient më të mirë dhe qytetarë më të shëndetshëm, Marrëveshja e Gjelbër Evropiane do të jetë strategjia jonë e rritjes”, tha Ursula von der Leyen, presidente e KE-së”,/raporton euronewsalbania.

Kancelarja Angela Merkel me planin e saj kaloi pengesën e ngritur me çështjen e klimës nga vendet e Evropës qendrore. Polonia e vlerësoi pozitivisht atë.

“Ne u siguruam që fondi i modernizimit, që shoqëron zhvillimin e politikës së klimës të BE-së, ofron shanse ekonomike për Poloninë. Kjo është shumë e rëndësishme pasi duhen mjetet e duhura për transformimin energjetik”, u shpreh Mateusz Morawiecki, kryeministër i Polonisë.

Pas samitit të gjatë, liderët e BE-së do të vendosin se si të investojnë fondet për t’i dhënë jetë një ekonomie të gjelbër e të qëndrueshme.

Related posts