Pas një vrasje të tmerrshme të një djaloshi 25 vjeçarë, të quajtur Klodian Rasha, që ndodhi me 8 dhjetor në Tiranë, mediat e huaja i kanë kushtuar vëmendje të gjerë protestës së zhvilluar atje. Mbrëm në Tiranë, qindra qytetarë u mblodhën të revoltuar pas vrasjes së 25-vjeçarit nga ana e një efektivi policie.
Përmes një artikulli, Reuters ka vënë në dukje, përdorimin e një gazi lotsjellës nga policia ndaj protestuesve të mbledhur përpara kryeministrisë në Tiranë. Agjencia e lajmeve shkruante se “shqiptarët protestojnë pasi policia qëlloi për vdekje një burrë për shkelje të shtetrrethimit të koronavirusit”.
“Protestuesit që po kërkonin dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm hodhën objekte në ministrinë e tij dhe i vunë flakën pemëve të Krishtlindjes ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën”, thuhej ndër të tjera në artikullin e Reuters.
Ndërkaq, DailyMail, përmes një video të publikuar bën një përmbledhje të asaj që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, për të mbërritur tek momenti i protestës së dhunshme në shesh, ku pati përplasje me policinë dhe u dogj dhe pema e Krishtlindjes.
BBC thekson se qindra tubues u mblodhën në rrugë e Tiranës pasi pretendimeve se policia e vrau të riun sepse shkeli orën policore, të vendosur si masë kundër pandemisë së koronavirusit.
Më tej, Euronews, ka raportuar se 25-vjeçari Klodian Rasha u qëllua për vdekje pranë shtëpisë së tij në Tiranë pasi nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për të ndaluar.
Kujtojmë se, 25-vjeçari Klodian Rasha humbi jetën më 8 dhjetor, pasi qëllua me armë zjarri nga një efektiv policie, sepse nuk i ishte bindur urdhrit të patrullës policore për të ndaluar.