Bëri punë dënimin me gjobë prej 2 mijë euro për PDK-në, Hoxhaj reflekton, tani shifet me maskë tek viziton bizneset në Suharekë, atje premton 500 milionë euro ndihmë për bizneset

Sot është raportuar se, Partia Demokratike e Kosovës është dënuar me gjobë prej 2 mijë eurosh për shkelje të masave antiCOVID gjatë parafushatës zgjedhore.

Dhe ky dënim del të rezultoj pozitiv sepse sot kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj është parë që ka filluar të reflektoj duke përdorur maskën gjatë debatit me njerëz.

Hoxhaj, sot ka vizituar bizneset në Komunën e Suharekës, ku ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Gjatë vizitave në mobilierinë “Graniti”, fabrikën për përpunimin e pijeve freskuese “Burimi-AG” dhe fabrikën e materialit ndërtimor “Intertras-Coop”, Hoxhaj ka thënë se Plani i Rimëkëmbjes do t’i adresojë të gjitha problemet me të cilat po përballen bizneset në vend, si pasojë e pandemisë COVID-19.

Gjatë kësaj vizite, Hoxhaj tha se Partia Demokratike e Kosovës i sheh bizneset si partnerë dhe në Planin e Rimëkëmbjes parashihet themelimi i fondit prej 500 milionë eurove për ndihmë direkte për të gjitha bizneset dhe punëtorët e prekur nga pandemia, si dhe do të krijohen lehtësira të mëdha për ato biznese që planifikojnë të investojnë dhe hapin vende të reja të punës, duke eliminuar periudhën kohore dhe shumën e mjeteve të TVSH-së për rimburësim.

Hoxhaj ka thënë se gjatë mandatit të tij si kryeministër paga minimale do të rritet nga 170 në 300 euro.

“Sot kam vizituar tri kompani të ndryshme në Therandë, të cilat prodhojnë produkte të ndryshme për treg të brendshëm dhe për treg evropian. Pandemia i ka goditur këto kompani në Therandë, por edhe në nivel të vendit. Ne duam që të krijojmë një fond, i cili përmes granteve në vlerë prej 500 milionë euro do t’i mbështesë shumë biznese në Kosovë, me qëllim që ta tejkalojnë pandeminë dhe të ofrojmë lehtësira të mirëfillta fiskale për gjithë sektorin privat, meqë sektorin privat e shohim si partner të rritjes ekonomike, të krijimit të vendeve të reja të punës. Do ta ulim tatimin në të ardhurat për korporata nga 8 në 7, 5 dhe 0 për qind, varësisht nga përmasa e korporatës. Në krahasim me partitë tjera politike, të cilat nuk kanë ide, nuk ofrojnë program dhe ofrojnë një qasje, e cila i ngjanë më shumë komunizmit, Partia Demokratike e Kosovës ka një plan konkret sesi ta rimëkëmbë vendin në planin ekonomik. Po ashtu, pjesë e këtij plani është edhe rritja e pagës minimale nga 170 euro në 300 euro”, ka thënë Hoxhaj.

Related posts