Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ndjek shembullin e Bulevardit të Famës në Hollywood me vendosjen e emrave në pllaka falenderuese për të ruajtur famën publike të personave me ndikim dhe rëndësi.
Haziri në një postim në llogarinë e tij facebook ka thënë se në kuadër të festave të nëntorit, në Çarshinë e Gjilanit ka vendosur pllaka falenderuese për shtetet që e kanë ndihmuar qytetin e Gjilanit dhe Kosovën.
“Në kuadër të festave të nëntorit, në Çarshinë e Gilanit i kemi vendosur pllakat falënderuese për shtetet që e kanë ndihmuar në vazhdimësi Gjilanin dhe Kosovën si SHBA, Britania, Zvicra, Kanadaja, Gjermania, Italia, Japonia, Franca, Austria, Danimarka, Norvegjia e Kuvajti”, ka njoftuar Haziri.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë me vendosjen e pllakave të tilla në mënyrë që gjeneratat e reja t’i kenë të gdhendur emrat e shteteve dhe emrat e njerëzve të cilët kanë dhënë kontribut dhe miqësi për shqiptarët, e në veçanti, për Gjilanin!