Dënim me burg për gardianin e akuzuar se futi drogë në Qendrën e Paraburgimit

Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin ndaj oficerit korrektues në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë Ragip Zeneli si dhe të akuzuarit tjetër Blerim Sinani.

Ragip Zeneli është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim  prej 1 vit e 8  muaj, për  keqpërdorim të detyrës dhe shpërndarje të narkotikut.

Ndërsa me aktvendim të veçantë të njëjtit i është ndërprerë paraburgimi deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.

Kurse i akuzuari Blerim Sinani, është dënuar me dënim me burg prej 7  muajsh si dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro për  posedim të narkotikëve.

Kujtojmë se në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 14 janar Ragip Zeneli dhe Blerim Sinani kishin pranuar fajësinë për veprën që iu vihet në barrë.

Shpallja e aktgjykimit është bërë nga gjykatësja Fatime Dërmaku, kurse i pranishëm ishte edhe prokurori Arian Gashi.

Kurse para shpalljes së këtij aktgjykimi, prokurori Arian Gashi ka bërë përmirësimin e dy çështjeve teknike në lidhje me aktakuzën.

Sipas aktakuzës Ragip Zeneli në cilësinë e oficerit korrektues në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë, në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo tjetrin nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se me 3 dhjetor 2020, Zeneli kishte futur substancë narkotike e llojit marihuanë në Qendrën Korrektuese në Prishtinë, me qëllim që të ndërmjetësoj dhe t’ia dorëzoj të akuzuarit Blerim Sinani i cili gjendej në vuajtje të dënimit në këtë qendër.

Sipas prokurorisë, gjatë kohës së drekës në këtë qendër Zeneli i ishte afruar Sinanit i cili ishte duke e shpërndarë ushqimin, ia kishte dhënë një sasi të narkotikut, por kur kishin vërejtur se sigurimi ishte duke ardhur, i akuzuari Sinani e kishte hedhur narkotikun në kosh të mbeturinave, e cila ishte gjetur dhe sekuestruar nga sigurimi i qendrës.

Pas ekzaminimit të policisë kishte rezultuar se narkotike ishte e llojit marihuanë me peshë 3.59 gram, ndërsa të njëjtën ditë gjatë bastisjes të akuzuarit Sinani në shtëpinë e tij në Graqanicë, policia kishin gjetur një sasi të vogël të marihuanës me peshë 0.18 gram, thuhet në aktakuzë.

Për këto veprime Zeneli po ngarkohet me veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa i akuzuari Sinani për veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëvë, substancave psikotope ose analoge./kallxo.com

Related posts