Dumoshi përkrahë të rinjët me hapjen e 167 bizneseve të reja në Kosovë

167 biznese të reja pritet të hapen në Kosovë me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Këto biznese do të hapen nga të rinjtë kosovarë, kështu bëri të ditur faqja zyrtare e MKRS-së. Ata njoftuan se ministrja e kulturës, Vlora Dumoshi sot ka shpërndarë kontratat për start-up grante për të rinjtë përfitues.

“Kjo përkrahje e MKRS-së për të rinjtë në tërësi ka vlerën e rreth një milion euro dhe është në kuadër të programit për stimulimin e punësimit të të rinjve. Këtij procesi i ka parapri një program i trajnimeve për ndërmarrësi që janë zhvilluar në të gjitha rajonet kryesore të Kosovës (Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan). Objektivi kryesor i programit ka qenë mundësimi i të të rinjtë e papunë për të nisur një veprimtari biznesi, ashtu që Kosova të ketë sipërmarrës të ardhshëm”, thuhet në postimin e Ministrisë së Kulturës.

Ata shtuan se skema e ndërmarrësisë do të sigurojë ndihmë me grante në vlerë deri katër mijë euro për çdo plan biznesi të zhvilluar me sukses që është miratuar në kuadër të procesit të përzgjedhjes.

Ndërkaq, ministrja Dumoshi gjatë takimit me të rinjtë përfitues ka thënë se tek Projektligji i Rinisë do të parashihet ndryshimi i moshës së rinisë dhe do të njihet puna vullnetare.

Njoftimi i MKRS-së tregon se mbështetja ka ardhur pas trajnimeve të cilat të rinjtë i kanë ndjekur dhe janë certifikuar 1255 të rinj. Thuhet se të rinjtë përfitues e kanë vlerësuar shumë përkrahjen e MKRS-së ngase ka qenë e pamundur që ata të konkretizojnë dhe realizojnë bizneset e tyre pa këto grante që ministria po jep për ta.

Në anën tjetër, të rinjtë u zotuan se do të maksimalizojnë përpjekjet që të zhvillojnë dhe zgjerojnë bizneset e tyre ashtu që të angazhojnë edhe të rinj të tjerë në projektet e tyre.

Related posts

Leave a Comment

I accept that my given data and my IP address is sent to a server in the USA only for the purpose of spam prevention through the Akismet program.More information on Akismet and GDPR.