Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka reaguar pas vendimit që i’u është shqiptuar nga Gjykata e Pejës, si fajtorë për veprën penale të konfliktit të interesit. Ai u shpall fajtorë, u dënua me 4 mijë euro gjobë dhe i’u ndalua ushtrimi i profesionit në administratën publike për dy vite.
Ai përmes një postimi në facebook ka thënë se Gjykata e Apelit do ta rrëzoj këtë vendim të Gjykatës Themelore në Pejë, pasi ai thot se nuk ka kryer vepër penale.
Lexoni pa ndërhyrje postimin e z. Elezaj:
Për të gjitha palët e interesuara,
Sot, përmes mbrojtësit kam kuptuar se Gjykata Themelore në Pejë, si Gjykatë e shkallës së parë, më ka shpallur fajtor për veprën penale të konfliktit të interesit.
Duke qenë se vendimin gjykata e ka shpallur sot, jam i bindur se ankesa drejtuar Gjykatës së Apelit të Kosovës si Gjykatë e shkallës së dytë do rrëzojë këtë vendim të Gjykatës Themelore në Pejë. Kjo meqë unë jo që nuk kam kryer veprën penale në fjalë, por i jam shmangur konfliktit të interesit.
Unë kam zbatuar ligjin në fuqi në përpikëri, e Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë për ta mbështetur aktakuzën e saj. E për habinë time, Gjykata e shkallës së parë ka gjetur bazë të më shpallë fajtor pa asnjë provë të drejtpërdrejt.
Sa do që ky vendim nuk është i drejtë për mua, shpresoj se ai nuk është nxitur nga interesat politike të kujtdo.
Pasi do të pranojmë vendimin me shkrim, sigurisht se ekipi i mbrojtjes do të deklarohet për opinionin tonë përshtatshmërisht.
Sinqerisht, i juaji,
Zenun Elezaj