Gazetarët pa Kufij: Orban dhunues i medias

Organizata vëzhguese e medias, Gazetarët pa Kufij, i ka cilësuar 37 udhëheqës të botës si dhunues që “shtypin masivisht” lirinë e shtypit, duke përfshirë në këtë listë për herë të parë një kryetar shteti të Evropës Perëndimore, Kryeministrin Viktor Orban të Hungarisë.

Organizata me qendër në Paris, në listën e saj të parë të këtij lloji në pesë vite, përfshiu dy gra, Sheikh Hasina, Kryeministre e Bangladeshit që nga viti 2009, dhe Carrie Lam, shefe ekzekutive e Rajonit Administrativ Special të Hong Kongut që nga viti 2017.

Organizata Gazetarët pa Kufij thotë se emri “më i spikatur” në listën e re “është padyshim Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, 35 veçari Mohammed bin Salman, i cili ka në duart e tij qendrën e të gjithë pushtetit dhe kryeson një monarki që nuk toleron asnjë liri shtypi. Metodat e tij shtypëse përfshijnë spiunimin dhe kërcënimet që ndonjëherë kanë çuar në rrëmbime, tortura dhe akte të tjera të paimagjinueshme. Vrasja e tmerrshme e gazetarit Jamal Khashoggi ekspozoi një metodë kafshërore që është thjesht barbare. ”

Organizata Gazetarët pa Kufij tha se të gjithë zyrtarët e cituar në listë “shkelin lirinë e shtypit duke krijuar një aparat censure, duke burgosur gazetarë në mënyrë arbitrare ose duke nxitur dhunë kundër tyre, kur ata nuk i kanë duart të lyera me gjak sepse ata kanë nxitur direkt ose indirekt vrasjen e gazetarëve”.

Organizata tha se zoti Orban “ka minuar në mënyrë të vazhdueshme dhe efektive pluralizmin dhe pavarësinë e medias që nga kthimi i tij në pushtet në vitin 2010” duke përdorur “teknika të ndryshme grabitqare”.

“Metodat mund të jenë të rafinuara ose të pacipta, por ato janë gjithmonë efikase”, thuhet në raport. Grupi vëzhgues tha se oligarkët e afërt me partinë Fidesz në pushtet kontrollojnë më shumë se 80% të mediave në vend, ndërsa media private diskriminohet dhe cilësohet si botuese e “lajmeve të rreme”.

Zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, e sulmoi raportin dhe tha se organizata duhet të quhet “Lajme të Rreme Pa Kufij”.

Gazetarët pa Kufij thanë se “veprimtaritë dhunuese” të Kryeministres Hasina në Bangladesh përfshinin “miratimin e një ligji dixhital të sigurisë në vitin 2018 që ka çuar në dënimin e më shumë se 70 gazetarëve dhe blogerëve”.

Raporti thotë se zonja Lam “ka provuar të jetë një marionetë e Presidentit Xi Jinping të Kinës, dhe tani mbështet hapur politikat e tij dhunuese ndaj medias”. Organizata dënoi mbylljen kohët e fundit të gazetës kryesore të pavarur të Hong Kongut “Apple Daily” dhe burgosjen e themeluesit të saj Jimmy Lai.

Christophe Deloire, sekretar i përgjithshëm i organizatës Gazetarët pa Kufj, u kërkoi qeverive botërore që të dënojnë sulmet ndaj medias nga 37 udhëheqësit e cituar në listë. “Ne nuk duhet të lejojmë që metodat e tyre të bëhen normaliteti i ri”, tha ai.

Në këtë artikull janë përfshirë të dhëna nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Related posts