Germa “q” e nenit 29 e Ligjit për Zgjedhje vazhdon ti sjell paqartësi Zyrës për certifikim. Ata rekmandojnë që t’i certifikojnë në pako subjektet politike. Vendimi duhet të merret diku tjetër

Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike dhe Certifikim i ka rekomanduar sot KQZ-së certifikimin në pako të subjekteve politike dhe kandidatëve, kjo për arsye të paqartësive që kanë hasur në interpretimin e pikës “q” të Nenit 29 të Ligjit për Zgjedhje ku flitet rreth kandidimit të atyre që janë dënuar në tri vitet e fundit.

“Zyra ka hasur në vështirësi për të pasur një qëndrim të qartë në lidhje me zbatimin e germës “q” të nenit 29 të LPZ. Për arsye të paqartësisë së hasur, Zyra rekomandon KQZ-në që të certifikojë në pako subjektet politike dhe kandidatët e mësipërm. Certifikimi i kandidatëve e liron KQZ-në nga obligimi që rrjedh nga neni 30 i LPZ-së në lidhje me ruajtjen e informatave të kandidatëve që janë identifikuar nga institucionet tjera, duke ju krijuar mundësi palëve të interesuara ankesën në instancat ankimore të nivelit të parë dhe të dytë”, thuhet në rekomandimin e Zyrës.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike, Yll Buleshkaj, rekomandon certifikimin e të gjithë kandidatëve për deputetë, pavarësisht vendimit të KGJK-së.

“Zyra ju rekomandon të certifikohet lista e parë e dërguar nga partitë politike, ndërsa palët e interesuara mund të bëjnë pastaj ankesa”, ka thënë Buleshkaj.

Përveç Zyrës për Certifikim pran KQZ-së edhe kandidati i LVV-së për deputet, si dhe ish-anëtari i KQZ-së, Adnan Rrusemi, ka publikuar edhe një pjesë të këtij rekomandimi.

“Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike rekomandon certifikimin e të gjithë kandidatëve. Qëndrim dhe vlerësim profesional i Zyres. Rekomandimi i Zyres nuk mund të ndryshohet nga anëtarët e KQZ-së që vijnë nga partitë politike. Sot KQZ-ja e ka përpara rekomandimin për të certifikuar kandidatët. Çfarëdo veprimi tjetër do të ishte antikushtetues dhe krejtësisht politik për të luftuar një subjekt politik siç është Lëvizja”, ka shkruar deputeti Rrustemi në facebook.

Ai ka publikuar edhe një pjesë të këtij dokumenti:

Dihet se KGjK i ktheu ditë më parë përgjigje KQZ-së në kërkesën për konfirmim të përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së ka thënë se janë 47 kandidatë që kanë problem me ligjin.

Ndërkaq, KQZ në këto momente është duke mbajtur ende mbledhjen.

Sot pritet që KQZ të marrë vendim për certifikimin e kandidatëve dhe subjekteve që do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Related posts