Gjykata britanike vendos kundër ekstradimit të Assange në SHBA

Një gjykatë në Londër vendosi që themeluesi i Wikileaks të mos ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përballej me akuza për spiunazh.

Gjykatësja Vanessa Baraitser pranoi shumë prej argumentet të avokatëve që përfaqësonin SHBA, por së fundmi vendosi në favor të Julian Assange duke marrë parasysh shqetësimet për shëndetin e tij mendor.

49-vjeçari mendohet se ka përjetuar depresion të thellë, ide vetëvrasjeje dhe çrregullime të spektrit të autizmit gjatë burgosjes në Londër që prej vitit 2019. 

Sipas gjykatëses, Assange do të ishte në rrezik shumë të madh nëse ekstradohej në një burg të sigurisë së lartë në SHBA, transmeton euronewsalbania.

SHBA  kërkon prej kohësh të ekstradojë Assange, për ta përballur atë me 17 akuza të spiunazhit dhe një akuzë për keqpërdorim të kompjuterit lidhur me publikimin e dokumenteve sekrete ushtarake, të cilat lidheshin me shkelje të ushtrisë gjatë luftrave në Afganistan dhe Irak. 

Këto akuza së bashku përbëjnë një dënim prej 175 vitesh burg.

Pala amerikane do ta apelojë vendimin e të hënës, ndërsa skuadra e Assange e ka quajtur çështjen të motivuar politikisht.

Related posts