Nysrete Kumnova, përfaqësuese e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, në seancën e Kuvendit e cila po mbahet me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit tha se Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj me datë 13 nëntor 2020 e refuzuan dhe nuk e votuan Ligjin për të Pagjeturit duke u arsyetuar se është kohë pandemie.
“Ne familjarët e pikëlluar, ne nëna të pikëlluara, me humbjen e bijëve dhe bijave familjarëve tonë u bashkuam si një trup me një zë dhe nuk ndaluam asnjëherë së vepruari në kërkim të fatit të pagjeturve”, tha ajo.
Kumnova tha se nuk gjetën përkrahje nga institucionet vendore e ndërkombëtare të cilat, sipas saj, do të duhej vetë të merrnin iniciativa për zbardhjen e krimit, kthimin e trupave dhe varrimin e më të dashurve në atdhe.
Kumnova gjithashtu kritikoi Selmanajn për qasjen që ai pati sa i përket temës së të pagjeturve, muajin e e kaluar.
“Është zoti Driton Selmanaj i cili kohë më parë e injoroi temën e të pagjeturve duke e cilësuar si të konsumuar. ”, shtoi ajo.
Kumnova kërkoj nga Kuvendi të votohet ky ligj me procedurë të përshpejtuar.