Hoti në Dragash tregon se LDK ka planin për ekonominë, bujqësinë dhe blegtorinë

Avdullah Hoti, kandidati për kryeministër, i nominuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka vizituar Dragashin ku nga atje ka deklaruar se është duke i ftuar kundërkandidatët e tjerë për debat publik, mirëpo ata kanë refuzuar.

Hoti gjatë këtij takimi elektoral në Dragash ka thënë se partitë e tjera nuk kanë programe dhe ide.

“Njëri prej kandidatëve prej këtyre ‘të kuqëve’ tha do t’i anulojë vendimet e Avdullah Hotit, por atij s’do t’i vijë rendi. LDK-ja ia dha njëherë mundësinë, dy herë e shkeli Kushtetutën. S’ka kush që e lëviz marrëveshjen e Washingtonit, s’ka kush që e lëviz vendimin për ta luftuar krimin e korrupsionin, për të fuqizuar sundimin e ligjit. Ata qe i kemi lëviz ne ai iu ka dhënë mirënjohje e pastaj ata iu bashkuan listës së PDK-së”, është shprehur Hoti.

Ai para banorëve të Dragashit ka thënë se LDK-ja ka planin për ta fuqizuar ekonominë, blegtorinë dhe bujqësinë.

“Do të punojmë shumë qe të mbështesim blegtorinë, i kemi dyfishuar subvencionet për bujqësi e blegtori. Kjo ka bërë qe prodhimi në pandemi të jetë më i larti. Kjo është bërë e mundur me ministrat e LDK-së, pakon e Rimëkëmbjes. Do t’i mbështesim qendrat e skijimit. Do të nxitet turizmi ndërkombëtar, njerëzit do të vijnë lirshëm pa frikën nga ekstremizmit të ndryshëm. Kërkoj nga ju në Dragash që të dalim fitues si gjithmonë, por na duhet fitore e fuqishme, për te mos humbur kohë e që të ecim për para”, ka shtuar tutje.

Në anën tjetër, kryetari i LDK-së në Dragash, Selim Kryeziu, ka thënë se nuk duhet bazuar në sondazhet e publikuara deri tani.

“Kosova nuk është miu i bardhë për eksperimentime. Mos e dorëzoni trurin tuaj”, ka thënë ai.

Related posts