Ja kur do nisë vaksinimi në Evropë. Çka po ndodhë me Kosovën?

Kompania amerikane Pfizer, në bashkëpunim me atë gjermane, BioNTech po përgatiten që të dërgojnë 12.5 milionë doza të vaksinës që kanë prodhuar kundër koronavirusit në vendet e Bashkimit Evropian.

Shtetet e BE-së, përfshirë Gjermaninë, Francën, Austrinë dhe Italinë, planifikojnë që të nisin vaksinimin prej 27 dhjetorit, teksa Evropa po mundohet që të zë hapin e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, shtete këto që më herët gjatë këtij muaji nisën vaksinimin, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.

Sipas rregullatorit të barnave të Bashkimit Evropian, vaksinën kundër koronavirusit mund ta marrin qytetarët mbi moshën 16-vjeçare.

Ndërkaq, rregullatori në Zvicër – shtet ky që nuk është pjesë e BE-së – e miratoi përdorimin e vaksinës gjatë fundjavës.

Ky është plani i shteteve evropiane sa i përket vaksinimit kundër koronavirusit:

Zvicra


Që prej 23 dhjetorit, Zvicra nisi vaksinimin e grupeve më të ndjejshme shoqërore. Ushtria zvicerane shpërndau kontingjentin e parë të vaksinave, prej 107,000 dozave.

Qeveria zvicerane ka thënë se synon që të vaksinojë falas të gjithë qytetarët që duan ta marrin vaksinën, deri në mesin e vitit 2021.

Gjermania


Kontingjenti i parë prej 150,000 dozash të vaksinës, pritet të arrijë në Gjermani më 26 dhjetor, gjë që do të lejojë autoritetet që të nisin fushatën e vaksinimit, fillimisht në shtëpitë e pleqve më 27 dhjetor.

Mbi dy milionë doza, që janë të mjaftueshme për të vaksinuar mbi një milion qytetarë – pasi secili qytetar që vaksinohet duhet të marrë dy doza të vaksinës – do të arrijnë në Gjermani deri në fundin e javës së parë të janarit të vitit 2021.

Italia


Më 26 dhjetor, 9,750 doza të vaksinës së Pfizerit do të nisen nga Belgjika për në spitalin Spallanzani të Romës, ku do të nisë vaksinimi kundër koronavirusit më 27 dhjetor.

Pas kësaj, doza të tjera të vaksinës së Pfizerit do të dërgohen edhe në 300 qendra të tjera në mbarë Italinë, ku do të bëhet administrimi i vaksinave.

Franca


Franca planifikon që të nisë programin e saj të vaksinimit më 27 dhjetor, ku prioritet fillimisht do të kenë grupet më të ndjeshme të shoqërisë, siç janë më të moshuarit.

Aprovimi formal nga rregullatori i barnave në Francë – që është i nevojshëm që vaksinimi të jetë i mundur – u bë më 24 dhjetor.

Spanja

Kontingjenti i parë i vaksinave në Spanjë, do të dërgohet në qytetin Guadalahara në Spanjën qendrore, ku do të nisë programi i vaksinimit më 27 dhjetor. Ky shtet do të pranojë 350,000 doza në javë të vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech, duke filluar nga 26 dhjetori.

Portugali

Vaksinat e para kundër koronavirusit në Portugali do të fillojnë t’iu administrohen punëtorëve shëndetësorë më 27 dhjetor. Vaksinat do të administrohen në pesë spitale të mëdha: dy në Lisbonë, dy në Porto dhe një në Koimbra. Deri në fund të vitit 2020, Portugalia do të pranojë rreth 80,000 vaksina të kompanive Pfizer dhe BioNTech.

Ndërkaq, Austria, Spanja, Belgjika, Rumania dhe Republika Çeke kanë njoftuar se planifikojnë që të nisin vaksinimin e qytetarëve, dy ditë pas Festës së Krishtlindjes.

Rumania pret që të pranojë 10,000 dozat e para, të cilat do t’i shpërndajë në dhjetë qytete në mbarë vendin. Republika Çeke, Sllovakia dhe Bullgaria pritet që fillimisht të pranojnë sasi të ngjashme të vaksinës, gjatë dërgesave të para.

Hungaria

YKryeministri hungarez, Viktor Orban ka deklaruar se pret që vaksinimi të nisë më 27 ose 28 dhjetor. Ai ka thënë se dërgesa e parë që do të pranojë shteti, kjo sasi do të jetë e mjaftueshme për të vaksinuar 35,000 qytetarë.

Belgjika/Luksemburgu
Belgjika dhe Luksemburgu pritet që të nisin fushatat e tyre të vaksinimit kundër koronavirusit në fund të dhjetorit, përkatësisht më 28 dhjetor.

Holanda
Shteti i Holandës ka planifikuar që të nisë vaksinimin e popullatës kundër koronavirusit më 8 janar, të vitit 2021, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Hugo Jonge.

“Ne kemi zgjedhur që të bëjmë një planifikim më të kujdesshëm, më të sigurt dhe më të përgjegjshëm”, tha ministri Jonge, në një letër drejtuar Parlamentit holandez.

Norvegjia/Suedia/Danimarka/Islanda
Suedia dhe Norvegjia do të pranojnë fillimisht 10,000 doza të vaksinës kundër koronavirusit. Norvegjia ka thënë se dozat e para do të dërgohen në shtëpi të pleqve.

Danimarka pret që të ketë doza të mjaftueshme që fillimisht të vaksinojë 40,000 persona që jetojnë në shtëpi të pleqve, pasi ka konsideruar se ajo kategori e shoqërisë ka rrezikun më të madh. Më pas, punëtorët shëndetësorë do të vaksinohen kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri.

Ndërkaq, Islanda pritet që të pranojë 10,000 doza të vaksinës kundër koronavirusit, afër Vitit të Ri.

Serbia
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ishte personi i parë që është vaksinuar kundër koronavirusit në Serbi më 24 dhjetor.

Serbia më 22 dhjetor, pranoi dërgesën e parë nga Pfizer/BioNTech, me 4,875 doza të vaksinës.

Çfarë po ndodh me vaksinimin në Kosovë?
Kosova ende nuk e ka siguruar vaksinën kundër koronavirusit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi të enjten se së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), kanë hartuar një plan të veprimit për vaksinimin kundër koronavirusit të ri, që do të nisë së zbatuari kur të arrijnë vaksinat, por nuk tregoi se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Sipas planit të veprimit, të parët që do ta marrin vaksinën do të jenë stafi shëndetësor dhe të sëmurët kronikë.

Kosova pret që të marrë vaksina kundër koronavirusit për 20 për qind të popullatës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, program ky që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra.

Pjesën tjetër të vaksinave, Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës, ka thënë se do t’i blejë vetë. Por, të pyetur ditë më parë nga Radio Evropa e Lirë, nëse Ministria e Shëndetësisë është duke negociuar me kompaninë amerikane Pfizer – vaksina e së cilës ka nisur të administrohet në vende të ndryshme të botës – ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se këto informata janë konfidenciale.REL

Related posts