KEDS-i premton rrymë pa ndërpreje për vitin e ri

Kompania kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike, KEDS siguron konsumatorët se ka bërë të gjitha përgatitjet për furnizim stabil me energji elektrike gjatë festave të fundvitit.

Megjithatë zyrtarë të kësaj kompanie bëjnë thirrje të gjithë konsumatorëve që të mos e shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje, pasi që në disa zona ka ngarkesë enormë.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë për KosovaPres se kjo kompani është përgatitur për furnizim stabil me energji elektrike për festën e Vitit të Ri.

“KEDS-i ka bërë përgatitjen e rrjetit dhe sigurisht që së bashku me KESCO është e përgatitur që ketë furnizim stabil me energji elektrike gjatë festave të fundvitit, ndërsa qytetarët duhet t’i përmbahen thirrjeve tona për kursim, sidomos të ngrohjes me energji elektrike dhe ta evitojnë këtë aty ku ka mundësi në mënyrë që të na e lehtësojnë edhe neve barrën pasi që bëhet fjalë për furnizim me energji elektrike dhe jo për furnizim me ngrohje”, theksoi ai.

Ndërsa, sikur shumë kompani në vend, edhe KEDS-i ka pësuar rënie të të hyrave financiare për vitin 2020 si pasojë e COVID-19.

Rënia e të hyrave në KEDS llogaritet të jenë rreth 20 milionë euro, ndërsa të hyrat vjetore llogaritet të jenë 250 milionë euro.

Related posts