KËRKOHET LIRIMI I REXHEP SELIMIT NGA PARABURGIMI

Më 12 dhjetor 2020, mbrojtësi kryesor i Rexhep Selimit, avokati David Young ka paraqitur një kërkesë tek gjykatësi i procedurës paraprake për lirimin e përkohshëm të tij nga masa e paraburgimit, njofton Insajderi.

Sipas mbrojtjes, gjykata duhet ta aprovojë këtë kërkesë pasi që Selimi është deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka një stabilitet familjar dhe në vazhdimësi ka pasur një bashkëpunim me Dhomat e Specializuara.

Sipas mbrojtjes, këto arsye janë të mjaftueshme për të dëshmuar se Selimi nuk do të largohet nga Kosova.

Po ashtu, në kërkesën e avokatit Young, thuhet se Selimi i ka përmbushur të gjitha detyrimet e kërkuara nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Mbrojtja e Selimit ka vlerësuar se i njëjti duhet të lirohet sepse nuk janë përmbushur kushtet e nenit 41, pika 6 (b), të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ndërsa në alternativë, mbrojtja ka kërkuar lirimin e përkohshëm me kushte të arsyeshme të vendosura nga gjykatësi i procedurës paraprake të cilat do të siguronin pjesëmarrjen e Selimit në seanca dhe mbrojtjen e integritetit të hetimit të zyrës së Prokurorit të Specializuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të shqyrtuar këtë kërkesë, mbrojtja ka propozuar të mbahet një seancë dëgjimore më datën 16 dhjetor 2020.

Ndryshe, Selimi me 5 nëntor u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza ndaj tij, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit u publikua me 5 nëntor.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues..

Related posts