KGjK përfundon verifikimin e 1081 kandidatëve për deputet, KQZ thot se nesër del me vendim për emrat konkret

Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes një noftimi për media ka njoftuar se bazuar në ligj, në Memorandumin e Bashkëpunimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkesën e datës 18.01.2021, ka përfunduar verifikimin e 1081 kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të datës 14.02.2021.

“Listat e kandidatëve janë dorëzuar në KQZ brenda afatit të përcaktuar në kërkesë. Me këtë rast, Këshilli ka përfunduar obligimin e vet në lidhje me këtë proces”, thuhet në njoftimin e KGjK-së.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në njoftimin e bërë nuk jep detaje se sa kandidatë i kanë verifikuar me aktakuza. Por zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media tha se në përgjigjen që kanë marrë nga KGjK është se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, tha Elezi.

Elezi më tej shtoi se KQZ do të marrë vendim më së largu deri nesër me 22 janar kur do të dihet se cilët kandidatë për deputetë specifikisht mund të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Sipas Planit Operacional të miratuar nga KQZ-ja, rekomandimet do të bëhen gati gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim më së largu deri më 22 janar”, shtoi ai.

Elezi shtoi se nëse një subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, atëherë ai mund të paraqesë ankesë në PZAP.

Related posts