“Kolltuku i vogël për dy persona” / Arban Abrashi e shkarkoi Izedin Bytyqin, e kthej Agim Veliu por zyrën nuk ja lëshon Zymer Abdullahu

Arban Abrashi, Ministër në largim i Infrastrukturës, ka zënë momentin e fundit të qenit ministër për të bërë shkarkime. Kështu pa dhënë ndonjë arsye specifike, me një vendim ka shkarkuar mëngjesin e së hënës sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi.

Në vend të Bytyçit, Abrashi ka emëruar sekretarin e ri të kësaj ministrie Zymer Avdullahun, duke e kthyer kështu Bytyqin në drejtor të një departamenti.

Mediat dje raportuan se ende nuk janë dhënë detaje për këto lëvizje në MI, por ajo çfarë dihet është se Izedin Bytyçi njihet si person i afërm me Abrashin dhe lëvizjet mund të jenë të dakorduara për plane më afatgjate.

Por, një ditë pas këtij emërimi, Ministria e Punëve të Brendshme e udhëhequr nga ministri në largim Agim Veliu ka anuluar vendimin e Abrashit për shkarkimin e sekretarit Bytyqi dhe njëkohësisht edhe emërimin e sekretarit të ri, Abdullahut.

Vendimi i Ministrisë së Brendshme e rikthen në pozitën e tij, Izedin Bytyqin, por, sipas burimeve të portalit “Front Online” sekretari i përzgjedhur nga ministri Abrashi ka refezuar t’ia lëshoj zyrën Bytyqit.

Madje ky i fundit ka dërguar një e-mail, të cilin e posedon Front Online, ku kërkon anulimin e gjitha vendimeve dhe akteve të nënshkruara nga Abdullahu, të cilin madje e quan uzurpator.

“Pas vendimit të ministrit të Punëve të Brendshme, njëkohësisht kryesues i Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, me numër 0045 të datës 02.03.2021, me të cilin bënë anulimin e detyrueshëm të Aktit Administrativ të Paligjshëm për lirimin tim nga detyra, ju njoftoj se anulohen të gjitha aktet dhe vendimet dhe cfaredo veprimi tjetër të nxjerra nga uzurpatori i paligjshëm i Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm. Obligohet Departamenti Ligjor që me prioritet të përgatit aktin për anulim të cilin do ta nënshkruaj unë”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Bytyqi.

Përndryshe, sekretari i përzgjedhur nga ministri Arban Abrashi, Zymer Abdullahu, ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë me ish-sekretarin Betim Reçica ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur aktakuzë për keqpërdorime.

Related posts