Konjufca: Të gjitha partitë po dëshirojnë të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosj, ish- ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë Kurti, Glauk Konjufca, ka thënë se tani të gjitha subjektet politike po dëshirojnë të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen.

Konjufca në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova tha se vetëm edhe NISMA ka mbetur të deklarohet për bashkëpunim me LVV-në.

“Krejt po donë të bashkëpunojnë me ne. Vetëm edhe NISMA ka mbet të deklarohet që të krijohet “kori gazmor”, tha Konjufca.

Ndërsa, për postin e presidentit Konjufca thotë se ata nuk synojnë postin e presidentit por shkuarjen në zgjedhje para zgjedhjes së presidentit.

“Vetëvendosje e ka shumë lehtë sepse presidentin nuk e ka kërkuar asnjëherë”, thotë Konjufca.

Konjufca gjithashtu ka deklaruar se partia në të cilën bën pjesë ai nuk do t’i përgjigjet ndonjë ftese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në takim për çështjen e presidentit.

“Ne mendojmë si Vetëvendosje që as që ja vlenë të shkojmë në mbledhje të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila nuk e ka hallin fare te presidenti, por e ka hallin tek mosshkaktimi i zgjedhjeve të reja nacionale parlamentare”, ka thënë ai.

Ai gjatë emisionit, për LDK-në shtoi “se për këtë parti nuk është shqetësimi dhe fokusi që Kosova nuk e ka një president. Shqetësimi është qysh kjo me qenë instrument i shmangies së zgjedhjeve nacionale. Kështu e konsideroj sjelljen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për arsye se nuk jam i sigurt nëse e ka të garantuar vendin e tretë në zgjedhje nacionale”, u shpreh tutje Konjufca.

Related posts