Komisioni Qendror Zgjedhor, sot ka marrë një vendim për votuesit jashtë Kosovës ku thuhet se të gjithë votuesit në zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të regjistrohen përmes emailit.
Bazuar në këtë vendim të KQZ-së, periudha e regjistrimit e votuesve nga diaspora fillon me 13 janar dhe përfundon me 21 janar 2021 në ora 18:00 sipas kohës së Kosovës.
Ndërsa në formularët e aplikimit për regjistrim, aplikuesi duhet të shënojë vetëm numrin e tij të telefonit dhe jo të ndonjë familjari.
Tutje KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit dhe nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet.
Gjatë ditës, nga publikimi i këtij vendimi pati edhe reagime të ndryshme sa i përket sqarimeve shtesë lidhur me atë se në cilin ligj apo rregull është bazuar ky vendim i KQZ-së.
Një reagim i ashpër erdhi nga përkrahësi i Vjosa Osmanit, Haxhi Avdyli, lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të cilin e quajti vendim absurd dhe të padëgjuar më parë.
“Vendimi absurd, i padëgjuar i KQZ-së që të mos u pranohet vota atyre që votojnë me post e që nuk lajmërohen në telefon. A thua si do bëhen psh 200.000 telefonata jashtë shtetit. Kush do i bëjë ato, sa kohë duhen për to ? Çka ndodhë nëse dikush mund të jetë në punë , edhe nuk e hap telefonin. Ky nuk është vetëm dekurajim për votim por edhe cenim i drejtës bazike për votë”, ka shkruar Avdyli përmes një postimi në facebook.
Këtë vendim të KQZ-së e kundërshtoi edhe Haki Abazi nga Vetëvendosje i cili kërkoi sqarime shtesë se në cilin ligj apo rregull është bazuar kjo gjë.
“KQZ duhet të përcaktoj sa herë e thërret aplikuesin dhe a ka të drejtë aplikuesi që të thërret qendren e thirrjeve në KQZ para se KQZ të refuzojë aplikimin për votim. Në cilin ligj apo rregull është e bazuar kjo gjë? Pse duhet komplikuar procedurat kur shteti nuk ka bërë asnje gjë për të lehtësuar dhe për ta bërë më të lirë dhe me të thjeshtë procesin e votimit”, ka shkruar Abazi në llogarinë e tij facebook.
Ky është vendimi i plotë KQZ-së:
