KQZ paditet në gjykatë për verifikimet e votuesve të diasporës

Në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 11 janar mori një vendim për sa i përket votuesve kosovarë në diasporë.

“Aprovohet propozimi i Këshillit për Çështje Ligjore. Mbetet që të verifikohëb të gjithë aplikuesit përmes telefonit,” – tha Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.

Por, ky vendim i KQZ-së për verifikim të votuesve nga diaspora, përmes telefonatave, solli reagime.

“Telefonata e cila është vendosur si masë ose si mënyrë për të verifikuar identitetin e votuesve nuk është masë proporcionale për shkak se aplikuesit nuk mund ta dijnë se kur mubd ta pranojnë telefonatën nga ana e KQZ-së,” – tha Lirim Krasniqi, drejtor i organizatës “Germin”.

Për ankesën e depozituar në “Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa” (PZAP), udhëheqës të organizatës thanë se kanë pasur shumë dëshmi. 

“Ka elemente të mjaftueshme për ta hedhur poshtë si vendim në tërësi për shkak se KQZ-ja përveç që ka marrë një vendim që cënon të drejtat kushtetuese, gjithashtu nuk ka dhënë arsye shtesë,” – vijoi më tej Krasniqi.

Megjithatë, PZAP, hodhi poshtë ankesën e kësaj organizate dhe Vetëvendosjes.

“Hidhen të palejuara apelet e ushtruara nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje dhe Organizata joqeveritare “Germin”, kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që ka të bëjë me Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim për Periudhën e Aplikimit për Regjistrim të Votuesve Jashtë Kosove,” – thuhet në një dokument të PZAP-së.

Pas këtij vendimi, organizata “Germin” ka dorëzuar pranë Gjykatës Supreme, ankesë kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të bindur se verifikimi me telefonata është i paligjshëm.

Kontaktimi me telefon i aplikuesve nga diaspora që duan të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të bëhet duke i telefonuar në tri faza. Ato do të bëhen gjatë orarit të punës me orën e Kosovës, jashtë orarit të punës me orën e Kosovës dhe jashtë orarit të punës sipas orës në vendin ku jeton aplikuesi./euronewsalbania.

Related posts