Kryeministri Kurti i uron besimtarëve musliman fillimin e Ramazanit

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës i ka uruar besimtarëve musliman fillimin e agjërimit të Ramazanit duke i uruar atyre agjërim të lehtë. Kurti në profilin e tij facebook ka shkruar ndër tjera se Ramazani i cili fillon sonte është muaji më i veçantë i fesë islame.

Lexoni të plotë postimin e kryeministrit Kurti:

Sonte fillon Ramazani, muaji më i veçantë i fesë islame. Për katërmbëdhjetë shekuj, myslimanët në të gjithë botën e kremtojnë këtë muaj, duke e përmbajtur veten nga ushqimet e të mirat e përditshme, me motivin e lartë të sakrificës dhe bashkëndjenjës me të dobtin, të varfërin dhe të sëmurin.

Agjërimi për besimtarin është sfidë fizike dhe psikike. Është shembulli i sundimit të mendjes mbi trupin. Është muaji kur stomaku i zbrazët, nga lindja deri në perëndimin e diellit, shoqërohet me shpirtin e ushqyer nga mirësia e mirësjellja, veprat e fjalët e mira, dashuria e paqja me njëri-tjetrin.

Edhe sivjet Ramazani na gjen në rrethana të rënduara të pandemisë, që vazhdon të marr jetë njerëzish anembanë globit.

Dashurinë dhe solidaritetin me tjetrin gjatë këtij muaji të bekuar, do të mund ta shprehim më së miri duke marrë përgjegjësi për ruajtjen e shëndetit tonë dhe të më të dashurve tanë nga virusi i rrezikshëm.

Ju bëftë mirë syfyri i parë, e ju qoftë i lehtë agjërimi.

Related posts