Kryetari i PSD-së Molliqaj për ministrat e Kurtit: Ekonomia do të udhëhiqet nga të djathtit

Dardan Molliqaj, Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), menjëherë pasi u zgjodh Albin Kurti kryeministër i Republikës së Kosovë ka bërë një postim duke kritikuar se ekonomia kosovare do të udhëhiqet nga të djathtit sipas tij.

Molliqaj, përmes një postimi të profilit të tij në Facebook është deklaruar se sektori i ekonomisë do të përfaqësohet me njerëz me orientime të djathta ideologjike, duke aluduar në Hekuran Muratin, Besnik Bislimin, Rozeta Hajdarin dhe Artane Rizvanollin.

“Ekonomia do të udhëhiqet nga njerëzit e deklaruar publikisht sit ë djathtë. Ata janë Hekuran Murati, Besnik Bislimi, Rozeta Hajdari e Artane Rizvanolli. Pa ndërhyrje në sistemin tatimor dhe politika të rishpërndarjes, ata na thonë se rritja ekonomike dhe zhvillimi shoqëror janë të ndara”, shkruan ndër të tjera ai.

Më posht lexoni postimin e z. Molliqaj:

Qeverisja e re: shkarkime e spektakël policor në vend të drejtësisë, ndihma në vend të barazisë 

Sot u votua qeveria e re, rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Analiza jone mbi kete qeveri eshte e bazuar mbi dy faktorë: premtimet programore që na flasin për orientimet, por edhe njerëzit që tregojnë për përgatitjen e performancën eventuale.

Ne shohim përputhje të plotë midis këtyre faktorëve. Qeverisja nuk e sheh si problem modelin ekonomik, por mosfunksionimin e tij. Prandaj, na duhen aty liberalë të pastër, mundësisht edhe me kulturë. Ekonomia do të udhëhiqet nga njerëzit e deklaruar publikisht sit ë djathtë. Ata janë Hekuran Murati, Besnik Bislimi, Rozeta Hajdari e Artane Rizvanolli. Pa ndërhyrje në sistemin tatimor dhe politika të rishpërndarjes, ata na thonë se rritja ekonomike dhe zhvillimi shoqëror janë të ndara. Pa sigurime shëndetësore e sistem të drejtë pensional, qeveria e re, ndihmat do t’i shesë si sistem të mirëqenies.

Emri i sektorit të arsimit është në përputhje të plotë me mungesën e qëllimeve transformuese aq të nevojshme për këtë fushë. Arbërie Nagavci shumëkujt mund të mos i duket kompetente, por nuk duhet të harrojmë që detyrat që ajo i ka para vetes bazuar nga programi nuk do t’i sjellin fare kokëçarje. Për të ndërhyrë tek rënia drastike e nivelit të absorbimit të dijes tek nxënësit kërkohet guxim politik e dashuri për dijen, sepse duhet sfiduar një nga grupet më të mëdha të interesit. Asgjë të tillë s’do të shohim.

Shëndetësia do të drejtohet nga një ministër tejet i papërgjegjshëm. Arben Vitia kishte mbyllur Kosovën për mbrojtje nga pandemia, por në pikun e saj merr pjesë në një tubim prej 1000 personash. Sjellja e tij nuk i ngjan universalitetit të Hipokratit, por  hileve të hipokritit. 

Ministria e Brendshme do t’i besohet vaj medet Xhelal Sveçlës, kurse Ministria e Jashtme përmes Donika Gërvallës do ta personifikojë në mënyrë permanente skandalin diplomatik.

Prej ditës së sotme së paku nuk do të na thonë më mjaft e kritikuat opozitën, tash do të thonë pritni 1 vit, pastaj do të thonë 1 mandat është pak…

Related posts