Kurti i kërkon Bordit të AKP-së të mos vazhdojë me privatizime tjera

Albin Kurti, kandidati fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë një status në facebook ku i ka kërkuar Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), të ndërprenë privatizimet dhe të mos filloj valën e re të saj. AKP po tenton të filloj një valë të re të privatizimit, që sipas Kurtit është në kundërshtim me disa vendime të Kuvendit të Kosovës dhe ekzekutivit.

“Tani jam informuar që bordi i AKP-së krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e lartpërmendura”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Qeveria jonë në dy mbledhje të saj, me 10 mars dhe me 23 mars 2020, kishte nxjerrë dy vendime përmes të cilave kërkonte nga AKP-ja të pezullojë fillimisht të gjitha veprimet në lidhje me pronat e palujtshme nga lista e aseteve për qiradhënie, dhe, pastaj, të pezullojë në afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e palujtshme që i ka nën administrim”, deklaron kryetari i Vetëvendosjes.

Kurti më tej sqaron faktin se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisjes së tij do të jetë lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ju bëj me dije se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë sonë vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrjedhimisht, brenda kësaj kornize do të trajtohet edhe sfidimi eventual i bordit të AKP-së në raport me qeverinë dhe kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”, ka thënë ai.

Related posts