Kurti: Këtë vit pritet të merren vendime të rëndësishme në sektorin e energjisë

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se Kosova duhet të ketë një strategji të energjisë të koordinuar mirë me të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtarë dhe që rezulton me rritjen e standardeve të jetesës për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Kurti foli për rëndësinë e strategjisë për energjinë me rastin e hapjes së punëtorisë “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë”, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, me ç’rast theksoi se me implementimin e strategjisë së energjisë pritet të krijohen vende të reja të punës dhe të krijohen hapësira për investime.

Ai po ashtu tha se Kosova sikurse shumë vende të vogla në zhvillim, sot e gjen veten në mes të një krize klimatike globale të shkaktuar nga mosplanifikimi i qëndrueshëm dhe afatgjatë i burimeve natyrore, për çka theksoi se vihet sërish në pah nevoja për bashkëpunimin e të gjithëve për një kauzë të përbashkët.

“Si shtet e si vend jemi në vitin kur pritet të merren vendime të rëndësishme në sektorin e energjisë, vendime të cilat do ta definojnë këtë sektor jo vetëm për 10 vitet e ardhshme, por edhe më tej se aq. Kosova është në fazën e rishikimit të strategjisë së energjisë, hartimit të planit për energji dhe klimë si dhe rishikimit të legjislacionit në fushën e energjisë”.

“Të gjitha këto nisma do të definojnë synimet tona. Qëllimi ynë është që strategjia e energjisë të jetë mirë e informuar, e zbatueshme dhe me objektiva të sakta dhe të matshme. Kosova nuk duhet të ketë një strategji vetëm qe të përmbushë kriteret legjislative, mirëpo një strategji e koordinuar mirë me të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtarë, që rezulton në rritjen e standardeve të jetesës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Meqë jemi në shërbim të qytetarëve, pritet që kjo strategji me implementim të krijojë vende të shumta pune, hapësirë për investime duke lehtësuar proceset, të aktivizojë shoqërinë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje si dhe të krijojë mundësi përfitimi për ta”, tha ai./insajderi.org

Related posts