Kurti me rastin e Krishtlindjes viziton Kishën e Shën Jozefit në Stubëll të Epërme

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me ish Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ish Ministren e Ekonomisë Rozeta Hajdari, Kryetarin e Qendrës së Vitisë, Nijazi Isaku, e bashkëaktivistë të tjerë uruan Krishtlindjen në Kishën e Shën Jozefit me besimtarët e Stubllës së Epërme e bashkëatdhetarët që kanë ardhur këto ditë në familjet e tyre.

Pas Meshës, ata u mikpritën në ceremoninë e organizuar nga Famullia e drejtuar prej Dom Jeton Thaqit dhe më pas vizituan muzeun në Shkollën e parë shqipe. Kështu ka njoftuar VV përmes një postimi në facebook, në faqen zyrtare të tyre.

Kryetari Kurti uroi Krishtlindjen gjithë besimtarëve katolikë dhe familjeve të tyre duke veçuar se solidariteti e dashuria për tjetrin ndihmoi kudo në vend për ta përballuar pandeminë.

“Ndërsa Dom Jeton Thaqi fjalën e tij përshëndetëse bashkë me urimet e festës kumtoi për këtë rast se tejkalimi i vetvetes, ndihmesa për të tjerët, komunitetin e atdheun janë shërbesa për të mirën sikundër fides as ratio, besimi e arsyeja, mund e duhet të shkojnë bashkë”, thuhet në postimin e VV-së.

Kurti, vizitën në Stubëll të Epërme e përmbylli me mikpritjen e familjes së Mëhill Martinit (Gjergji) ku përzemërsisht u takuan me djalin Robertin e bashkëshorten Suzana bashkë me tre djemtë e tyre Nikollën, Gazmendin e Samuelin.
Familja Martini u përballë e para në Kosovë me pasojat e pandemisë por falë urtësisë e kthjelltësisë së tyre dhe gjithë asaj zone shumë shpejt gjithçka u rikuperua në Stubëll.

“Me mbresat më të veçanta e me mikpritjen bujare të secilit e të gjithëve që na mirëpritën sot, u shprehim të gjithë shqiptarëve të krishterë urimet më të mira për Krishtlindjen e këtij viti të vështirë”, shkruan më tej në postimin e Vetëvendosjes.

Related posts