Kurti në takim me përfaqësuesin norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad: Presim të korrigjohen padrejtësitë e KQZ-së dhe PZAP-së në Gjykatën Supreme

Lëvizja Vetëvendosje në faqen e saj zyrtare në facebook, ka njoftuar se kreu i LVV-së, Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga kjo parti, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, z. Arne Sannes Bjørnstad, të shoqëruar nga ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, z. Grøndahl.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit është biseduar për zgjedhjet e 14 shkurtit, përgatitjet që po bëhen dhe për procesin e certifikimit të subjekteve politike që ende nuk është mbyllur si çështje. Kurti ka njoftuar përfaqësuesin norvegjez z. Bjornstad që po presin nga Gjykata Supreme korrigjimin e padrejtësive që kanë bërë KQZ dhe PZAP duke u’a pamundësuar certifikimin si subjekt politik garues LVV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Në këtë takim u fol për zgjedhjet që po afrojnë, përgatitjet që jemi duke i bërë, dhe për procesin e certifikimin të subjekteve politike që ende nuk është përmbyllur. Duke theksuar faktin se e drejta për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur është e drejtë themelore kushtetuese e vendeve demokratike, e njoftuam z. Bjornstad që tashmë kemi dërguar edhe një ankesë në Gjykatën Supreme prej ku edhe presim të korrigjohen padrejtësitë e shkaktuara nga vendimet e KQZ-së dhe PZAP-së. Përgjatë takimit u diskutuan edhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe gatishmëria për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes nesh”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Related posts