Kurti: Njohja nga Izraeli shumë e rëndësishme për Kosovën / Vendosja e ambasadës atje do të shqyrtohet pasi të shiqohet edhe dokumentacioni i qeverisë në ikje

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Turqisë z. Çağri Sakar dhe sekretaren e dytë të ambasadës, znj. Dilara Köseoğlu, thuhet në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje në facebook.

Ambasadori Sakar ka uruar Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se ai dhe Turqia janë të interesuar të thellojnë bashkëpunimin me qeverinë në ardhje.

Kurti ka falendëruar ambasadorin për vizitën, si dhe për letrën e urimit nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

“Kryeministri në ardhje, Kurti e informoi ambasadorin për prioritetet e qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohemi në shtimin e marrëdhënieve tona bilaterale, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik”, thuhet në njoftim.

Kurti gjatë këtij takimi ka folur edhe për çështjen e vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jeruzalem ku ka thënë se kjo çështje do të shqyrtohet duke e parë edhe dokumentacionin e qeverisjes në ikje.

“Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Në fund, të dy u dakorduan që porsa të formohen institucionet e reja të legjislaturës së tetë do të vazhdojmë bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona mike.

Related posts