Kurti takon virtualisht Elizabeth Gowing nga “The Ideas Partnership”, adreson nevojat e komuniteteve në Kosovë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka njoftuar në rrjetin e tij facebook se është takuar me Elizabeth Gowing nga OJQ “The Ideas Partnership” dhe kanë diskutuar për komunitetet që ende fatkeqësisht në Kosovë mbeten të margjinalizuara, si romët, ashkalinjët dhe egjiptianët.

Më posht lexoni të plotë postimin e z. Kurti:

Janë të rralla zonjat si Elizabeth Gowing, që i kushtojnë një dekadë jete kauzës fisnike të arsimit. Ajo bashkë me bashkëshortin e saj, Robert Wilton, kanë themeluar OJQ-në “The Ideas Partnership” në vitin 2009. Që nga ajo kohë, komunitetet më të margjinalizuara në Kosovë, romë, ashkali dhe egjiptian kanë fituar një adresë të rëndësishme të mbështetjes. Si rezultat i punës së saj, këto komunitete kanë rritur ndjeshëm përfshirjen në arsim dhe jo vetëm, por edhe kanë përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Dje, patëm kënaqësinë që të realizojmë një takim virtual me të, për të njohur nga afër përvojën e saj të punës me fëmijët e komuniteteve romë, egjiptian dhe ashkali dhe për të kuptuar vizionin e vlefshëm që ka ajo, në veçanti për arsimimin e këtyre komuniteteve. Njohëm vështirësitë dhe sfidat që ballafaqon organizata që ajo drejton në përpjekje për të rritur gjithëpërfshirjen dhe parandaluar braktisjen e shkollimit.

Për Lëvizjen tonë përvoja dhe idetë, por edhe kërkesat dhe rekomandimet e Elizabeth Gowing janë të rëndësishme për të ndërtuar politikëbërje të mirëfilltë, që adreson nevojat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe që e lufton pabarazinë sociale dhe diskriminimin në arsim. Për VETËVENDOSJE!-n, arsimi është epiqendra e sfidave të shoqërisë sonë dhe hallka kryesore e intervenimit në qeverisjen e ardhshme. Lëvizja po e përsosë programin e Qeverisjes Alternative, duke e planifikuar ndërlidhjen e ngushtë në mes të arsimit dhe punësimit. Meqë shkolla është kontakti i parë i fëmijës me shtetin, Lëvizja po punon që kjo të jetë një përvojë pozitive, që e nxit dëshirën për të nxënë, por edhe i përgatit fëmijët për të qenë qytetarë të dinjitetshëm.

Bashkë me zonjën Gowing dhe me të tjerë miq, që kanë vullnetin, njohuritë dhe përvojën do të ndërtojmë një arsim që nuk diskriminon, shkolla që mirëpresin fëmijët e të gjitha komuniteteve dhe nxjerrin në pah potencialin e secilit fëmijë.

Related posts