Kurti: Vaksina është e sigurt dhe e nevojshme

Është vaksinuar sot i pari kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në prani të personelit shëndetësor. Këtë e bëri të ditur vet z. Kurti përmes një statusi në Facebook, se vaksina është e sigurt dhe do të ndihmojë në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj situate.

Kurti në postimin e tij ka treguar se së pari do të vaksinohet personeli shëndetësor dhe më të moshuarit, për të vazhduar më pas edhe me të tjerët.

Lexoni të plotë postimin e z. Kurti:

Në sallën e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë, sot pasdite u vaksinova kundër Covid-19. Vaksina është e sigurt dhe do të ndihmojë në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj situate. Prandaj inkurajoj të gjithë qytetarët që të vaksinohen dhe të heqin dilemat mbi dobinë e vaksinimit. Mbrëmë ka ardhur kontingjenti i parë prej 24 mijë vaksinave, do të kemi edhe vaksina të tjera, do të përpiqemi maksimalisht që sa më shpejt, sa më shumë qytetarë të vaksinohen.

Vaksinat janë të nevojshme, vaksinimi është i nevojshëm. Po përballemi me një pandemi shumë të vështirë, zgjidhja përfundimtare e së cilës natyrisht se është vaksinimi i popullsisë.

Ndërkohë, ju lus të gjithëve të mbani maskat, të mbani distancën fizike, të mbani higjienën dhe evitoni grumbullimet në vendet e mbyllura.

I falënderoj të gjithë punëtorët shëndetësorë, falënderoj Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe ju dëshiroj të gjithëve vaksinim të mbarë.

Fillojmë me personelin shëndetësor dhe me më të moshuarit, për të vazhduar më pas edhe me të tjerët.

Related posts