Kusari-Lila: Problemi kryesor që janë larguar investitorët nga Kosova janë korrupsioni dhe burokracia.

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për investimet e huaja ndërvite në Kosovë.

Ajo ka thënë se problemi kryesor pse janë larguar investitorët kanë qenë korrupsioni dhe burokracia. Dihet se investimet e huaja direkte në Kosovë kanë çaluar. Trendi në rënie i kapitalit ndërkombëtar, sipas ish-ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, është tregues i rëndësishëm i humbjes së besimit të investitorëve potencialë.

Kusari-Lila ka thënë se stabiliteti politik është një prej faktorëve që ndikon dukshëm në vendimin e afaristëve të jashtëm për të filluar investimet në një vend tjetër, duke shtuar se problemi kryesor pse janë larguar investitorët kanë qenë korrupsioni dhe burokracia.

E zgjedhur si deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila shprehet optimiste se me ardhjen e Qeverisë së re do të krijohen kushtet adekuate për investitorët e huaj në vend.

“Ne çfarë kemi parë në shumicën e deklarimeve të investitorëve qoftë të atyre të vendit dhe të huaj, problemi kryesor ka qenë burokracia dhe korrupsioni, duke e ditur se e kemi një qeveri që po vjen me një mandat të qartë në luftën kundër korrupsionit, në lehtësimin e kushteve për të bërë biznes në Kosovë, konsiderojmë që në fillim hymë me një kredibilitet shumë më të madh se sa çdo qeveri deri më tash në Kosovë edhe Kuvendi i Republikës është i gatshëm që të mbështes dhe duhet të ketë një punë aktive në harmonizimin dhe në rregullimin të atyre problemeve dhe sfida institucionale të cilat mund të jenë për të rregulluar mjedisin e biznesit”, ka thënë ajo.

Ajo beson se diaspora e vendit nuk duhet të shfrytëzohet vetëm për konsum dhe remitenca, por edhe me pjesëmarrje në ekonomi.

“Unë e shoh si shumë pozitive dhe jam optimiste në atë se çfarë e pret Kosovën në tërheqjen e investitorëve, një element këtu që nuk duhet harruar është diaspora që në këto zgjedhje kemi pasur një mbështetje të paparë në pjesëmarrje dhe ne e kemi atje një pasuri e cila deri më tash është shfrytëzuar vetëm në kuadër të konsumit dhe të remitencave dhe shumë pak ka pasur rol diaspora në mbështetje dhe pjesëmarrje aktive në ekonomi qoftë përmes investimeve dhe planifikimeve strategjike dhe jo me fajin e tyre, por me mungesën e krijimit të kushteve të mirëfillta dhe shpeshherë edhe me largimin e tyre”, u shpreh Kusari-Lila.

Related posts