Me 19 prill rifillon punën gastronomia

Të hënën më 19 prill pritet që sektori i gastronomisë në Kosovë të rifillojë punën pas një mbyllje dy javore, vendim ky i cili u vendos dy javë më parë nga Qeveria e Kosovës. Kjo është bërë e ditur në një njoftim për media të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në të cilin njoftohet për një takim të përbashkët të kryetarëve të komunave me ministrin, Elbert Krasniqi dhe atë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Kemi bërë grupe punuese me përfaqësuesit e gastronomeve për të punuar rreth qasjes dhe punës së sektorit të gastronomisë në të ardhmen dhe aktiviteti i tyre do të rifillojë nga data 19 prill 2021 duke respektuar në përpikëri masat për mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtij takimi, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka theksuar se vendimet e Qeverisë së Kosovës merren bazuar në rekomandimet e profesionistëve shëndetësor, përkatësisht të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Duhet ta kemi të qartë se situata në institucionet shëndetësore është mjaft alarmante sepse këto institucione janë të stërngarkuara më pacientë të infektuar më COVID 19 dhe hapësira e tyre është afër limiteve. Masat e ndërmarra përfundojnë me 18 prill 2021 dhe me 19 prill duhen masa të reja për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19”, është thënë në takim nga ana e ministrit Vitia.

Vendimi i datës 7 prill 2021 i Qeverisë së Kosovës përfshinë shumë masa për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit, përfshirë këtu edhe pezullimin e aktiviteteve në shërbimet e gastronomisë, përveç shërbimeve ‘merr me vete’ dhe atyre me porosi.

Gjithashtu është e ndaluar edhe veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre.

Në kuadër të këtyre masave është e kufizuar edhe lëvizja e lirë prej orës 22:00 e deri në 5:00, përveç në raste urgjente.

Këto masa do të jenë në fuqi deri më 18 prill.

Related posts