Media prestigjioze “The Guardian”, shkruan për Kurtin e Osmanin

E njohur si media prestigjioze britanike “The Guardian”, ka bërë në faqet e saj një shkrim dedikuar koalicionit para-zgjedhor në mes kandidatit për kryeministër, z. Albin Kurtit dhe kandidatës për presidente, znj. Vjosa Osmanit. The Guardian shkruan se ata dy u bashkuan në një alenacë të vetme për betejën kundër korrupsionit.

“Bileta e përbashkët midis Albin Kurtit për kryeministër dhe Vjosa Osmanit për presidente po rezulton e popullarizuar në sondazhe”, ka shkruar Guardian.

Në këtë shkrim të “The Guardian”, me autorë Patrick Wintour, përshkruhen figurat e dy personaliteteve, Kurtit dhe Osmanit. Për Kurtin tregohet  aktiviteti i tij studentor gjatë vitit 1997 si  një djalë me flokë të mëdha. Kurti përshkruhet si një i majtë dhe i fokusuar kryesisht për punësim e drejtësi.

Ndërkaq për Vjosa Osmanin, thuhet se është një grua e suksesshme në politikë, në një skenë që dominohet nga meshkujt.

Në këtë intervistë ushtruesja e detyrës së presidentës Vjosa Osmani, tha se korrupsioni ka krijuar një mur të madh, dhe për ta thyer duhet të bashkohen forcat.

“Pengesa më e madhe para nesh është ky mur i madh i krimit dhe korrupsionit ndër vite. Në mënyrë që ta shkatërrojmë ne duhet të bashkojmë forcat. Ne mund të kemi pasur dallime në të kaluarën, por ajo që na ka sjellë së bashku është diçka shumë më e fortë dhe që po lufton armikun kryesor të brendshëm të vendit tonë – kapjen e shtetit. Nuk është se na mungojnë institucionet për të luftuar korrupsionin, por ishte vullneti politik. Sapo politikanët e nivelit të lartë të jenë të korruptuar, ai depërton nëpër sistem”, ka thënë znj. Osmani.

Ndërkaq kreu i LVV-së Albin Kurti, tha se korrupsioni i madh në vendin tonë, është i përqëndruar në krye.

Kurti thekson se mungesa e sundimit të ligjit po i pengon investitorët.

“Shakaja në Kosovë është pse makiatot janë kaq të mira dhe përgjigjja është sepse ato bëhen nga ata me master në sociologji. Pranimet nga diaspora arrijnë 1.5 miliardë euro në vit kur buxheti i shtetit është 2.5 miliardë euro”, ka thënë z. Kurti.

The Guardian shkruan edhe për sondazhet ku thot se Kurti e Osmani renditen të parët.

Gjithashtu, The Guardian flet edhe për bashkëpunimin e shkurtër në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kosovarët tani duken të tërhequr nga aleanca e re Kurti-Osmani duke thënë se Kurti meriton një shans të dytë më të gjatë për t’i dhënë fund kaosit politik dhe për të adresuar problemet e thella të vendit. Por nëse ata dështojnë, zhgënjimi do të jetë i madh”.

Në këtë artikull janë përmendur edhe përpjekjet e administratës Trump për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi.

Theksohet edhe njohja e Izraelit për Kosovën dhe pajtimi i Prishtinës zyrtare që ta ketë ambasadën në Jerusalem.

Po ashtu divergjencat në mes SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian për Kosovën.

“Unë nuk mendoj se mund të përballojmë më shumë mosmarrëveshje midis Uashingtonit dhe Brukselit kur bëhet fjalë për Ballkanin. Nëse ka kontradikta, super fuqitë e tjera si Rusia do të futen”, citohet Albin Kurti. 

Related posts