Ministër i pabindshëm, Abrashi shkel masat e Qeverisë së tij për mbrojtje nga COVID-19

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka publikuar një fotografi të një tubimi me simpatizantë të LDK-së, duke shkelur masat e Qeverisë për mbrojtje nga coronavirusi.

Abrashi nuk ka bërë të ditur se ku ka qenë tubimi i partisë, por në fotografi shihet një numër mjaft i madh i njerëzve të grumbulluar në një hapësirë të mbyllur. Shumica e tyre nuk mbajnë maskë as distancë.Kujtojmë që masat e fundit të marra nga Qeveria e Kosovës më 12 nëntor për parandalimin e përhapjes së COVID-19 ndalojnë grumbullime të tilla.

“Ndalohet grumbullimi i qytetarëve prej më shumë se 5 personave në sheshe publike, parqe dhe vende publike, me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në pikën 12 të vendimit të Qeverisë.

Ndërsa pika 13 ndalon të gjitha llojet e grumbullimeve.

“Ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë, dasmat dhe ahengjet familjare, ceremonitë dhe veprimtaritë fetare (përveç familjes së ngushtë), si dhe çfarëdo forme tjetër e organizimit me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në pikën 13 të vendimit./kallxo.com

Related posts