Ministria e Shëndetësisë njofton se janë pezulluar fluturimet me Britaninë e Madhe

Kosova ka pezulluar fluturimet me Britanin e Madhe dhe anasjelltas.

Kështu ka bërë të ditur, përmes një njoftimi për media Ministria e Shëndetësisë, ku ka njoftuar se ka marrë vendim që t’i pezullojë të gjitha linjat ajrore të fluturimit në Aeroportin “Adem Jashari” nga Britania e Madhe për në Kosovë dhe anasjelltas.

Një vendim i tillë, thuhet se është marrë për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

MSH-ja njofton se të gjithë qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe në pikat tokësore obligohen të vetizolohen për 14 ditë në shtëpitë/banesat e tyre.

“Vendimi udhëzon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje më fushat e përgjegjësitë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij vendimi”, thuhet në komunikatë.

Për të gjithë personat fizikë dhe juridikë që nuk respektojnë këto masa, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit Nr. 07/L-006 për parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Dihet se ditët e fundit, shumë zyrtarë në Britani u alarmuan për atë që ata e quajtën një variant të ri ngjitës të koronavirusit që po qarkullon në Angli. Duke përmendur përhapjen e shpejtë të virusit nëpër Londër dhe zonat përreth, kryeministri Boris Johnson vendosi bllokimin më të rreptë të vendit që nga marsi. 

Related posts