Ministrja Haxhiu: Tarifat e përmbaruesve më të lartat në rajon / Ato duhet të ulen

Albulena Haxhiu, Ministrja e Drejtësisë ka takuar sot kryetarin e Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës, Arben Gashi, me ç’rast ka kërkuar të rishqyrtohen tarifat e përmbaruesve.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për sfidat dhe realizimin e disa objektivave për OPK-në, me ç ‘rast është theksuar se bashkëpunimi me MD-në dhe institucionet tjera relevante mbetet tejet me rëndësi.

“Me theks të veçantë, gjatë këtij takimi u diskutua për ndryshimet e nevojshme ligjore si dhe mundësinë për të bërë një analizë të mirëfilltë financiare lidhur me përmbarimin. Konkretisht është diskutuar nevoja për ndryshimin e ligjit për procedurën përmbarimore si dhe nevojën për rishqyrtimin e tarifave të përmbaruesve për të cilat Ministrja tha se konsiderohen më të lartat në rajon dhe se duhet të ulen”, thuhet në njoftimin për media të MD-së.

Ministrja Haxhiu ka theksuar se do të mbes e përkushtuar për të dhënë mbështetjen e parezervë në angazhimin dhe ofrimin e shërbimeve cilësore dhe transparente për të gjithë qytetarët e vendit.

Related posts