Mustafa bën homazhe te varri i ish-presidentit Rugova, flet edhe për situatën politike në vend

Me rastin e 31-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryesia e kësaj partie ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

I pranishëm ishte kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ku tha se LDK-ja mburret me të gjitha të arriturat gjatë kësaj periudhe kohore, me vlerat dhe solidaritetin e treguar.

Ndërkaq shrytëzoi këtë vizitë për të folur edhe për gjendjen aktuale politike, ku tha se fillimisht kuvendi duhet ta votojë buxhetin dhe disa marrëveshje ndërkombëtare për t’i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Mustafa ka sqaruar se ende nuk e kanë diskutuar kandidatin për kryeministër, duke shtuar se Kryesia do të mblidhet për këtë çështje.

“Ne nuk kemi përmendë emra, se nuk jemi ulur akoma. Ne po presim këto ditë që tani mbi bazën që deklaroi dje kryeministri Hoti, që të mblidhet edhe një herë Kuvendi të aprovojë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare që domosdo duhet të miratohen”, ka thënë Mustafa.

Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti, ai tha se nuk e kanë pritur, por do ta respektojnë. Këtë vendim, sipas tij, duhet ta respektojë edhe kreu i VV-së, Albin Kurti, nëse i ndalohet kandidimi.

“Të shpallen zgjedhjet dhe tani do të mbledhim organet tona, do të diskutojmë në mënyrë institucionale jo në bazën e përmendjeve, dëshirave personale, sepse jemi parti institucionale dhe çdo gjë e çojmë në institucionet dhe organet tona”, ka deklaruar Mustafa.

Related posts