Në vitin 2014 Kuvendi i Kosovë kishte miratuar ndryshimet ligjore, komisioni u themelua 2017, deri tani janë pranuar 1,361 aplikacione, Hoti sot i fton të gjithë viktimat për të aplikuar për pension

Është mbajtur edhe një tryezë e përbashkët e institucioneve vartëse për temën e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në konferencën e organizuar për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, u ka bërë thirrje gjithë viktimave që të aplikojnë për të fituar këtë status.

“I ftoj gjithë personat që kanë qenë viktima të këtij krimit të tmerrshëm që të aplikojnë për të fituar statusin dhe ftoj gjithë shoqërinë tonë që të mbështesim këtë proces, sepse turpi nuk është i viktimave të krimit, por i atyre që kanë kryer këto krime”, tha Hoti.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi si dhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga dhe panelistë të tjerë.

Si temë “tabu”, kjo u thy qysh kur u formua Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Ky komision u themelua në vitin 2017 me një përbërje qeveritare dhe akterë të organizatave jo-qeveritare.

Funksioni i këtij komisioni ishte të evidentonte në mënyrë të rregulltë dhe me kritere procesin e aplikimit dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale dhe më pas edhe kompensimi i tyre. Por deri më tani, ky komision ka pranuar 1,361 aplikacione për pension, një numër ky jashtëzakonisht i vogël krahasuar me shifrat që realisht qëndrojnë sa i përket numrit të të dhunuarve në Kosovë.

Punën e këtij komisioni qeveritar, më herët e kanë kritikuar edhe deputetët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut për procesin e ngadalshëm që ata po bëjnë.

Trajtimi i një rasti për muaj të tërë ka qenë ankesa kryesore, ku sipas deputetëve një rast mund të trajtohet brenda një muaji. E sipas tyre, nëse një rast trajtohet për 8 ose 9 muaj, kjo tregon se ky komision nuk është serioz në punën e tij. Dhe natyrisht, këto vonesa mund të ndikojnë që viktimat të mos aplikojnë.

Dihet se trajtimi i temës së të dhunuarve gjatë luftës në Kosovë filloj praktikisht kur në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.

Përdhunimet konsiderohen ndër krimet më të tmerrshme që njeh njerëzimi dhe të cilat, si në shumë vende të botës ku kishte apo ka luftëra e konflikte, ndodhën edhe në Kosovë gjatë luftës të viteve 1998-‘99 .

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual.

Related posts

Leave a Comment

I accept that my given data and my IP address is sent to a server in the USA only for the purpose of spam prevention through the Akismet program.More information on Akismet and GDPR.