Nga vjen dhe si festohet Krishtlindja

Shumë njerëz në shumë shtete të botës e festojnë sot Krishtlindjen, lindjen e Jezu Krishtit, festë kjo që besimtarët katolik zakonisht e festojnë në gjirin familjar.

Festa e Krishtlindjeve është një nga kremtet më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera. Krishtlindja festohet çdo 24-25 dhjetor dhe në të kujtohet lindja e shpëtimtarit Jezu Krisht. Pas Pashkëve, është festa më e rëndësishme për të krishterët.

Gjërat që bëhen më së shumti për Krishtlindjen zakonisht janë si: skena e lindjes së Krishtit, pema e Krishtlindjes, shkëmbimi i dhuratave dhe kartolinave, familja e bashkuar dhe ardhja e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes.

Krishtlindjet shënojnë ditë pushimi zyrtar në shumë nga vendet e botës, ndërsa po festohen gjithnjë e më shumë edhe nga vende jo-kristiane, si Korea apo Japonia.

Krishtlindja nënkupton lindjen e Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Mëria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August.

Për nxënësit e tij, lindja e Krishtit është parathënë nga profetësi të ndryshme sipas të cilave mesia do të lindte nga shtëpia e Davidit për të shpëtuar botën nga mëkati.

Përgatitjet për këtë festë nisin javë përpara se vigjilja e 25 dhjetorit të shënojë edhe kulmin e festimeve. Dhurata, ushqime të shumëllojshme, e gjithë familja e mbledhur rreth tavolinës duke ndarë urime dhe mesazhet për vit më të mbarë e më të mirë.

Zbukurimet 


Tradita e vendosjes së zbukurimeve me rastin e Krishtlindjeve ka një histori të gjatë. Në shekullin e XV, në Londër ekzistonte tradita e zbukurimit të çdo shtëpie me dafina dhe dredhka, me qëllim që i gjithë viti të ishte i gjelbër. Gjethet në formë zemre të dredhkave thuhet se simbolizojnë ardhjen e Jezusit në tokë. Ngjyrat tradicionale të Krishtlindjeve janë e kuqja dhe jeshilja. E bardha, argjendi dhe ari janë gjithashtu shumë popullore. E kuqja simbolizon gjakun e Jezusit, që u derdh në kryqëzimin e tij, ndërsa jeshilja simbolizon jetën e përjetshme.

Pema e Krishtlindjeve është konsideruar si një kristianizim i traditës pagane dhe një ritual që shoqëron solsticin dimëror, që përfshin përdorimin e gjetheve të gjelbra dhe përshtatjen e pemës pagane. Në anglisht, fjala “Pema e Krishtlindjes” është shënuar fillimisht në vitin 1835 dhe vjen nga gjermanishtja.

Pema moderne e Krishtlindjeve mendohet se ka nisur të përdoret së pari në Gjermani në shekullin 18-të. Ambienti jashtë shtëpisë mund të jetë i dekoruar me drita apo figura të tjera Krishtlindjesh. Zbukurime të tjera tradicionale përfshijnë zilet, qirinjtë, kurorat dhe engjëjt. Qirinjtë në dritare vendosen për të treguar faktin se kristianët besojnë, që Jezu Krishti është drita e fundit në botë.

Ushqimi 

Vakti special i Krishtlindjeve është një pjesë e rëndësishme e festimeve tradicionale dhe ushqimi që shërbehet varion nga shteti ne shtet. Disa krahina, siç është për shembull Siçilia, kanë një vakt të veçantë me 12 lloje peshqish. Në Angli dhe në vendet e ndikuara nga tradita anglosaksone, një vakt standard i Krishtlindjeve përfshin gjelin e detit ose mishin e patës, patate, perime dhe bukë.

Me këtë rast përgatiten edhe ëmbëlsira, si pudingu, byreku i ëmbël apo keku me fruta. Në Poloni dhe në vende të tjera të Evropës lindore, si dhe në Skandinavi përdoret shpesh peshku, por edhe mishi i pjekur.

Shkëmbimi i dhuratave është një nga aspektet më tërheqëse të Krishtlindjeve moderne edhe pse shumë njerëz mendojnë se i ka fillimet me dhuratat e shkëmbyera gjatë nje festivali që zhvillohej gjatë muajit dhjetor në perandorinë Romake.

Related posts