Është hera e dytë që zhvillohet një peticion për njohjen e kufijve të Kosovës, dhe kësaj here i drejtohet Netflix. Kjo nismë është ndërmarrë nga Sovran Hoti, student në Universitetin “Ukshin Hoti“ në Prizren i cili kërkon që Republika e Kosovës të njihet si shtet në Netflix. Ai në përshkrimin e peticionit ka shkruar se:
“Kur kosovarët hyjnë në Netflix, vendndodhja e tyre duket sikur është në Serbi, edhe pse ata e përdorin Netflix nga Republika e Kosovës. Personalisht, kjo më ka ndodhur shumë herë. Unë madje nuk mund ta verifikoj numrin tim të telefonit sepse Kosova nuk shfaqet në listën e vendeve me të dhënat telefonike.”
Ndërkohë në mbyllje ka prekur edhe faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin Kosovën, ndaj duke qenë se Netflix është kompani amerikane a do duhet që edhe Netflix ta shtojë Kosovën në shërbimin e tyre të trasmetimit?
Aktualisht ky peticion është firmosur nga më shumë se 15.000 persona dhe numri sa vjen e rritet.
Njëkohësisht në rrjete sociale qarkullon edhe hashtagu #NetflixaddKosovo, Netflix shto Kosovën.
Kësaj nisme i është bashkuar edhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, e cila ka reaguar nëpërmjet një postimi në Twitter ku ka shkruar:
“I dashur Netflix, njerëzit e Kosovës kënaqen shumë me shërbimet tuaja ‘streaming’ dhe e duan punën tuaj. Ata meritojnë të njihen për këtë. Është koha që ta vendosni Republikën e Kosovës në hartën tuaj.”/rrugapress.al