Nuk miratohet raporti i RTK-së, thuhet se aty ka menaxhim skandaloz të parave

Është mbajtur sot takimi i Komisionit për Buxhet dhe Transfere për të shqyrtuar raportin vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2019.

I pranishëm para këtij komisioni ishte, kryetari i bordit të RTK-së, Sali Bashota i cili gjatë raportimit të tij ka përmendur faktin se kanë pasur probleme të vazhdueshme në vendmmarrje për shkak të mungesës së kuorumit.

“Raporti shpalos të dhëna nga një periudhë kur ne nuk kemi pasur ekipin e plotë, nga 11 anëtarë kemi pasur vetëm shtatë. Ky është një raport transparent dhe në përputhje edhe me kushtet jo të mira infrastrukturore që punojmë,” ka thënë Bashota.

Lidhur me raportin në fjalë, Hekuran Murati, kryetari i këtij komisioni tha se raporti është i papranueshëm dhe sipas tij në raport shifet një menaxhim skandaloz i parave. “Nga ajo që po shoh në raport ky është një menaxhim skandaloz i parasë, RTK ka paguar filma nga Topshop 115 mijë euro, të drejta për transmetim të filmave dokumentar rreth 90 mijë euro, emisioni ‘Jeta në Kosovë’ që është ofruar falas për këtë vit është refuzuar, shpenzime të udhëtimeve zyrtare mbi 100 mijë euro, internet 112 mijë euro, mbi 9 mijë euro në muaj”, ka thënë Murati, gjatë mbledhjes së këtij komisioni.

Murati, kritikoi RTK-në siç tha ai, se RTK ka rreth 900 punëtorë dhe dikush aty nuk po e kryen punën si duhet pasi ka kaq shumë programe të blera.

Në raportim, ishte gjithashtu edhe drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, ku tha se e ka marr mandatin si drejtor në gjysmë të vitit dhe të gjitha këto shpenzime kanë qenë të planifikuara. 

“Nuk e di për çfarë arsye ndahen këto shpenzime në këto kategori, por jam munduar që të menaxhoj sa më mirë prej ditës kur e kam marr mandatin. Ne kemi arritur ta stabilizojmë gjendjen financiare, për këtë kemi edhe një raport të Auditorit ku janë paguar më shumë se 1 milion euro borxhe nga mbi 4 milionë sa kanë qenë. Shumica e kontratave që i përmendët kanë qenë dyvjeçare dhe shumicën prej tyre unë i kam ndërprerë”, ka thënë Kastrati.

Si përfundim, raporti i vitit 2019 nuk u miratua si dhe dështoi votimi në parim i projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021 , për shkak të mungesës së kuorumit.

Related posts

Leave a Comment

I accept that my given data and my IP address is sent to a server in the USA only for the purpose of spam prevention through the Akismet program.More information on Akismet and GDPR.